Haradinaj: Mali i Zi nuk ka nevojë ta ratifikojë demarkacionin me aneks-marrëveshjen e dy presidentëve

Aktuale February 20, 2018 - 11:24


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ka mundur të shpjegojë se si do të inkorporohet marrëveshja e presidentit të Kosovës dhe Malit të Zi për demarkacionin edhe nga parlamenti malazez, i cili marrëveshjen e 25 gushtit e ka të ratifikuar.

Ai ka thënë se Mali i Zi nuk ka nevojë që këtë marrëveshje ta ratifikojë për herë të dytë, pasi e ka bërë një gjë të tillë.

Haradinaj në një konferencë për media të martën ka thënë se ka qenë vullnet politik i Malit të Zi që të arrihet një marrëveshje e tillë mes dy presidentëve.

“Ne i dërgojmë parlamentit tonë ligjin me aneks-marrëveshjen, por edhe raportin e Bulliqit. Mali i Zi, nuk ka nevojë me shku prapë në ri-ratifikim, vetëm nëse don, ndërsa ne ende nuk e kemi bërë ratifikimin e ratifikojmë duke i bashku marrëveshjen e presidentëve”, ka thënë Haradinaj, raporton lajmi.net.

Ai po ashtu ka thënë se ata janë të gatshëm që nesër të mbahet seanca, por ka thënë se kjo më së largu do të ndodhë të enjten./Lajmi.net/