Lista Serbe kushtëzon Demarkacionin

Aktuale February 20, 2018 - 07:46

Demarkacioni me Malin e Zi nuk ka gjasë të kalojë pa votat e deputetëve të Listës Serbe. Këta të fundit votën e tyre pro po e kushtëzojnë me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Koalicioni qeverisës nuk i ka votat e nevojshme në Kuvend për ta kaluar Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, pavarësisht se ajo është nënshkruar ditë më parë mes dy presidentëve, atij të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Malit të Zi Filip Vujanoviq.

Seanca për votimin e Demarkacionit ishte planifikuar të mbahet sot në orën 14:00, por është shtyrë në afat të caktuar pasi koalicioni nuk i ka votat e nevojshme, pavarësisht mbështetjes nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), shkruan tutje "Zëri".

Lista Serbe nuk ka garantuar se do ta votojë Demarkacionin, duke i kushtëzuar votat e tyre me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ndërsa lëvizja “Vetëvendosje” e ka bërë të qartë se nuk do ta votojë Demarkacionin me Malin e Zi.

Kështu koalicioni qeverisës pa votat e Listës Serbe dhe të “Vetëvendosjes” besohet se nuk i ka më shumë se 77 vota për Demarkacionin, ndonëse për një marrëveshje të tillë ndërkombëtare duhen së paku 80 vota të deputetëve.

Haradinaj: Na duhet një javë për ta përgatitur seancën

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ditë më parë është deklaruar rreth Demarkacionit, duke thënë se janë humbur tre vjet e do të humbet edhe një javë për përgatitjen e seancës pasi kjo çështje nuk ka kthim prapa.

“Thirrja e seancës për të dielën ishte nga vullneti i madh dhe i mirë pas arritjes së marrëveshjes, por tema e demarkacionit është temë që ka pritur me vite dhe kërkon konsultë me të gjitha grupet parlamentare, me të gjithë deputetët me kujdes, në mënyrë që të kemi një seancë të përgatitur mirë. Kemi humbur gati 3 vjet për këtë dhe ndoshta na shkon edhe një javë, por duhet të jemi të përgatitur dhe të kemi kujdes në përgatitjen e seancës, por nuk ka kthim prapa”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar mbështetjen e VV-së e të Listës Serbe për Demarkacionin. “Ka rëndësi ta kemi mirëkuptimin e të gjithëve, të Listës Serbe, të ‘Vetëvendosjes’ dhe të çdo deputeti në Kuvend se është një moment që duhet të jemi të gjithë bashkë”, ka thënë ai.

Lista Serbe ka kushte për votën pro Demarkacionit

Ndërkohë Lista Serbe ende nuk ka treguar nëse do të votojë pro apo kundër Marrëveshjes së Demarkacionit.

Ata kanë deklaruar se tash për tash për serbët është i rëndësishëm formimi i Komunave me Shumicë Serbe.

Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi nuk është çështje e rëndësishme për serbët.

Kështu ka thënë për mediet deputeti serb në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq. Ai ka theksuar se kjo çështje duhet të zgjidhet në të ardhmen, mirëpo nuk e ka bërë të ditur nëse serbët do të votojnë pro apo kundër kësaj marrëveshjeje.

“Për ne e rëndësishme është themelimi i Komunave me Shumicë Serbe dhe përmirësimi i pozitës së serbëve në Kosovë”, është shprehur Simiq.

Ndërkohë gazeta “Zëri” ka provuar të marrë përgjigje nga deputeti Slavko Simiq në lidhje me qëndrimin e tyre për demarkacionin, por ai nuk ka dashur të përgjigjet.

Ndërkohë deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje” tashmë janë deklaruar se do të jenë kundër çdo marrëveshjeje për demarkacionin. Kurse siç dihet Grupi Parlamentar i LDK-së tash e sa kohë është deklaruar pro kësaj marrëveshjeje.

Deputetja e LDK-së Besa Gaxherri ka treguar për “Zërin” se deputetët nuk kanë marrë akoma ftesa për seancë.

“Qeveria duhet të angazhohet dhe t’i bëjë 80 vota në Kuvend për ta kaluar Demarkacionin. Qëndrimet e LDK-së dhe unifikimi i Grupit Parlamentar të LDK-së rreth kësaj çështjeje është i qartë. Ne po presim, mirëpo jo pa kufi. Po presim që shumë shpejt ta thërrasë seancën”, tha ajo.  

Qeveria ta bindë Listën Serbe

Dashnim Ismajli, njohës i çështjeve politike, konsideron që Marrëveshja për Demarkacion do të kalojë, meqë është arritur marrëveshje me Malin e Zi. “Mendoj se numrat do të arrihen dhe Demarkacioni do të kalojë pavarësisht se LVV-ja është deklaruar kundër dhe Lista Serbe nuk është deklaruar fare lidhur me këtë çështje”, ka thënë ai.

Sipas tij, mosdeklarimi i LS-së mund të interpretohet edhe si një lloj presioni i saj për të shfrytëzuar situatën e krijuar në favor të saj, andaj mosreagim mund të konsiderohet politikisht presion ndaj Qeverisë për të marrë me prioritet të lartë Asociacionin e Komunave Serbe.

Ndërkohë ai tha se pas miratimit të kësaj marrëveshjeje Kosovën e presin obligimet ndërkombëtare. “Sipas rrethanave të krijuara që dalin nga marrëveshja e re ndërmjet presidentit Thaçi dhe presidentit Vujanoviq nuk mendoj se do të ketë të papritura, meqë tashmë kemi një vullnet politik nga subjektet politike kosovare për të avancuar proceset që janë edhe obligime ndërkombëtare”, tha ai.  

Kurse Rasim Alija, nga organizata joqeveritare “Demokracia për Zhvillim” (D4D), ka thënë se Qeveria duhet ta bindë Listën Serbe që ta votojë Demarkacionin, meqë janë pjesë e Qeverisë.

Por, sipas tij, Lista Serbe nuk do të dalë nga kjo situatë pa një shpërblim duke qenë se tash për tash Demarkacioni varet nga votat e tyre pasi “Vetëvendosja” ka pak gjasa që ta votojë.

“Lista Serbe është pjesë e koalicionit qeverisës dhe si partner i koalicionit ishte dashur ta përkrahte një votim të tillë. Gjasat që LVV-ja ta votojë Ligjin për ratifikimin e Demarkacionit janë të vogla. Ndërsa Lista Serbe do të tentojë që të marrë diçka të madhe në këmbim të votës për Demarkacionin”, tha ai. 

Alija ka thënë se subjektet politike duhet të unifikuar të votojnë pro Demarkacionit.