BE kundër propozimit të Edi Ramës për një president mbarëkombëtar

Aktuale February 19, 2018 - 21:49

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tërhoqi vëmendjen mediatike dhe diplomatike në Ballkan dhe Bruksel me një deklaratë të mirëmenduar që kumtoi nga foltorja e Parlamentit të Kosovës gjatë seancës solemne për 10 vjetorin e Pavarësisë.

LEXO EDHE: Ministri i qeverisë Haradinaj që po e përkrah idenë e Ramës për një president

“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, po pse jo një president simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë. Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i qëllueshëm në rrafshin e racionales, por historia na këshillon se çfarë është e drejtë të ëndërrohet, nuk është e pamundur të realizohet”, tha Rama.

A janë këto fjalë të Kryeministrit të Shqipërisë përpara Parlamentit të Kosovës, ditën e festimeve zyrtare të 10-vjetorit të Pavarësisë, prelud i një plani për bashkim mes Shqipërisë dhe Kosovës përpara integrimit të tyre në Bashkimin Europian? Në çdo rast deklarata ka ndezur llampën e alarmit në Bruksel.

“Deklarata që mund të interpretohen si ndërhyrje politike në vendet fqinje, nuk ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira mes fqinjëve”, thuhet në deklaratën e zëdhënëses së Punëve të Jashtme dhe Sigurisë në BE, Catherine Ray.

Përballë propozimit të Ramës që ngjason me atë një federate, zëdhënësja e BE tërheq vëmendjen se Brukseli mbështet perspektivën e qartë integruese të Ballkanit Perëndimor, si për të theksuar se i vetmi destinacion i perbashket mes Shqipërisë dhe Kosovës eshte ai Europian, raporton TCH.

Propozimi për një President të përbashkët kombëtar për Shqipërinë dhe Kosovën vjen pasi kryeministri Rama ka marrë 4 zëvendësministra nga Kosova për qeverinë e Shqipërisë. Por zgjedhja e një Presidenti, i cili në të dy vendet zgjidhet prej Parlamenteve respektivë, është aktualisht një proces i pamundur juridikisht.

Propozimi është parë me skepticizëm në Kosovë.

 

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, përmes një postimi në Facebook, komenton jo pa ironi.

“Seancë me një zbulim të madh për “President të përbashkët”fjalë sa për të thënë,por e papranueshme,e rrezikshme,e dëmshme për Kosoven, integrimin tonë euro-atlantik”, shkruan ai.

Analisti nga Kosova, Imer Mushkolaj, tha për BIRN se Kryeministri i Shqipërisë synonte të tërhiqte vëmendjen politike. Sipas tij, “Rama e di se propozimi është i pamundur të realizohet”.

Analisti shton se “Deklarata tingëllon hipokrite nëse mbajmë në konsideratë se dy shtetet kanë probleme elementare bashkëpunimi, duke filluar me tarifat doganore”.