Policia tregon gjithçka çfarë ndodhi në manifestimin e 10-vjetorit të Pavarësisë

Aktuale February 19, 2018 - 10:43
Policia e Kosovës në detaje ka treguar për "Zeri.info" se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre ditëve

Gjatë ditëve të festimeve në nder të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Policia e Kosovës ka njoftuar se çdo gjë ka shkuar sipas planit, raporton “Zeri.info”.

Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka thënë për “Zeri.info”, se situata e sigurisë dhe rendit publik e ndërlidhur me festimet dhe aktivitetet organizative në përgjithësi ka qenë e qetë dhe se sipas tij, çdo gjë ka kaluar mirë dhe nuk janë shënuar incidente që kanë mundur të ndikojnë në mbarëvajtjen e aktiviteteve manifestuese.

“Jashtë procesit festiv, janë evidentuar incidente të natyrave të ndryshme, por te cilat incidente janë menaxhuar nga Policia e Kosovës sipas procedurave të parapara ligjore. Gjatë ditëve festive edhe gjendja në trafikun rrugor ka qene më e qetë se herëve tjera, nuk ka pasur aksidente fatale, si dhe numri i aksidenteve me lëndime trupore dhe me dëme materiale ka qene i një trendi në rënie, respektivisht ka pasur më pak aksidente rrugore”, ka treguar Hoxha për “Zeri.info”.

Tutje, Hoxha ka thënë se, Policia e Kosovës ka realizuar me sukses planin e saj të veçantë operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë dhe mbajtjen e rendit gjatë zhvillimit të aktiviteteve manifestuese për shënimin e vitit jubilar të shtetësisë së vendit.

“Policia e Kosovës ka realizuar me sukses planin e saj të veçantë operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë dhe mbajtjen e rendit gjatë zhvillimit të aktiviteteve manifestuese për shënimin e vitit jubilar të shtetësisë së vendit, dhe njëkohësisht falënderojmë qytetarët e Republikës së Kosovës, institucionet dhe gjithë mysafirët pjesëmarrës tjerë në këto aktivitete për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e shfaqur me autoritetet e rendit në aspektin e sigurisë gjatë gjithë këtij procesi”, ka deklaruar Hoxha për “Zeri.info”.