Kryesia e LDK-së mbështet ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi

Aktuale February 18, 2018 - 14:52

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbajtur mbledhjen ku ka mbështetur ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Në njoftimin e LDK-së thuhet se kjo parti ka qëndrim unanim për ta votuar demarkacionin.

Ky është njoftimi i plotë:

Sot, në takimin e rregullt, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me praninë e nënkryetarit të partisë, Agim Veliu, konfirmoi mbështetjen e plotë për qëndrimin e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës në lidhje me ratifikimin e Projektligjit të Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

LDK-ja, si partia kryesore në vend dhe me grupin më të madh parlamentar e përcaktues në këtë proces, me votën unanime të deputetëve të saj, në Kuvendin e Kosovës, do të hapë dyert për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë. LDK-ja në vazhdimësi ka theksuar se Marrëveshja e 26 gushtit 2015 është në përputhje me të gjitha faktet dhe në interesin e qytetarëve të Kosovës.

Mosratifikimi i saj deri më tani, vendin tonë e mbajti të izoluar dhe larg perspektivës evropiane, ndërsa qytetarët tanë i la pa të drejtën elementare njerëzore, lirinë e lëvizjes.