LDK konfirmon votën pro Demarkacionit

Aktuale February 17, 2018 - 18:55

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka konfirmuar edhe njëherë se do ta votojë Demarkacionin në Kuvend.

Kryesia e kësaj partia gjatë ditës së sotme ka mbajtur një mbledhje, të cilën e ka kryesuar kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu, në mungesë të liderët të partisë, Isa Mustafa që gjendet për shërim në Gjermani.

Veliu në këtë mbledhje ka folur në cilësinë e liderit të LDK’së, pozitë të cilën edhe ka pretenduar ta ketë çdo herë.

Ky është njoftimi i plotë i LDK-së:

Pas zhvillimeve të fundit dhe thirrjes së seancës së Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të debatohet për Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Shenjimit të Kufirit me Malin e Zi, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe një herë e konfirmon mbështetjen e plotë për këtë Projektligj.

LDK-ja në vazhdimësi ka theksuar se Marrëveshja e 26 gushtit 2015 është në përputhje me të gjitha faktet dhe në interesin e qytetarëve të Kosovës. Kundërshtimi i deritashëm i saj, siç po dëshmohet haptazi, ka qenë vetëm një kauzë fiktive dhe jashtëzakonisht e dëmshme.

Mosratifikimi i saj deri më tani, vendin tonë e mbajti të izoluar dhe larg perspektivës evropiane, ndërsa qytetarët tanë i la pa të drejtën elementare njerëzore, lirinë e lëvizjes.

LDK-ja, si partia kryesore në vend dhe me grupin më të madh parlamentar e përcaktues në këtë proces, me votën në Kuvendin e Kosovës, do të hapë dyert për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë.

Në këtë moment të rëndësishëm, LDK-ja kërkon nga shumica parlamentare që ta dëshmjë mbështetjen për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

LDK-ja do të vijojë të mbështesë qartazi perspektivën dhe proceset integruese të Kosovës në strukturat euro-atlanike, si dhe do të mbështesë të gjitha proceset që shkojnë në dobi të qetetarërve tanë.

LDK - Zyra për Informim