Çfarë dallimesh kanë Thaçi e Haradinaj për Deklaratën e Podgoricës

Aktuale February 16, 2018 - 13:18

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj janë takuar sot në mëngjes për të folur rreth Deklaratës Thaçi – Vujanoviq që do t’i hapë rrugë ratifikimit të Demarkacionit, duke lënë të hapur mundësinë që më pas të bëhen korrigjime për pjesët e kontestuara të kufirit. Por, dy zyrtarët e lartë kanë mospajtime serioze për këtë çështje. Thaçi po thotë se deklarata e nënshkruar në Podgoricë nuk ka karakter legal, ndërkohë që Haradinaj po e pohon të kundërtën

Ramush Haradinaj ka deklaruar se është i lumtur me atë që kanë nënshkruar Hashim Thaçi dhe homologu i tij malazias Filip Vujanoviq në Podgoricë. Haradinaj si kundërshtar kryesor i Marrëveshjes që Thaçi e kishte nënshkruar në Vjenë me zyrtarët malazezë me pohimet se Kosova ka humbur tokë, është shprehur i lumtur me Deklaratën e Podgoricës, duke thënë se vendit po i hapet rruga për liberalizimin e vizave.

Por, kryeministri Haradinaj dhe Presidenti Thaçi mbesin të ndarë rreth deklaratës Thaçi –Vujanoviq që erdhi si rezultat i vizitës së kryeministri Dusko Markoviq në Prishtinë.

Thaçi ka thënë se kjo deklaratë nuk ka karakter ligjor dhe se për votim do të nxirret Marrëveshja ku ai e kishte hedhur firmën para më shumë se dy vjetësh.

“Kjo është deklaratë e vullnetit të mirë e dy Presidentëve, nuk ka karakter legal. Nuk e di se a do ta shohin të nevojshme partitë politike që ta hedhin në Kuvend, por natyrisht se dokumenti i nënshkruar ndërmjet dy vendeve do të procedohet. Kështu kjo është një deklaratë e vullnetit të mirë dhe thirrje që gjërat që janë diskutuar dy vitet e fundit të rishikohen nëpërmjet një procesi rishikues dhe rishqyrtues”, ka thënë sot Presidenti Thaçi.

Por, të kundërtën e ka pohuar kryeministri Haradinaj në reagimin e tij pasi ka pranuar Deklaratën e Podgoricës.

Ai ka thënë se aneks-Marrëveshja ka karakter obligativ ligjor ndërkombëtar.

“Deklarata e përbashkët e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Presidentit të Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviq, në formën e aneks-Marrëveshjes si instrument ligjor obligativ ndërkombëtar, i jep epilog një paqartësie dhe ndarjeje të gjatë në shoqërinë tonë. Me këtë po përfundojmë obligimin e fundit për liberalizim të vizave dhe po hapim një kapitull të ri në lirinë e lëvizjes për qytetarët tonë”, ka theksuar Haradinaj.

“Në këtë jubile të Pavarësisë së Kosovës, jam i lumtur që sot u arrit aneks-Marrëveshja për ratifikimin, rishikimin dhe korrektimin e demarkacionit me Malin e Zi. Sot u vulos që sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Zhlepit do të rishikohen dhe të korrektohen”, ka vazhduar ai.