'Rusia nuk e do pajtimin mes Kosovës dhe Serbisë'

Aktuale February 16, 2018 - 09:55

Në një intervistë të shkurtë për RTK, analisti i njohur amerikan, Janusz Bugajski, ka folur për rrethanat aktuale politike në vend, raportet Kosovë-Serbi, rrezikun nga ndikimi rus në Ballkan dhe për çështje të tjera në prag të përvejtorit të pavarësisë së vendit.

RTK: Muajin e kaluar ka ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit ne veriun e Kosoves cili eshte shpjegimi juaja?

Bugajski: Më i besueshëm është spjegimi që është bërë një lloj vepre kriminale ndaj Ivanoviqit. Në veri të Kosovës fatkeqësisht nuk funksionon ligji. Egzistojnë organizata kriminale të cilat veprojnë dhe kontrabandojnë nëpër kufij. Kufij të cilët Prishtina jo domosdoshmërisht i kontrollon, as Beogradi s’e kontrollon shumë këtë pjesë, prandaj shumë njerëz ndjehen të pasigurtë sepse në masë të caktuar janë të terrorizuar nga kriminelët, kështu që edhe vrasja e Ivanoviqit ka mundësi të ketë qenë vrasje me paramendim e një politikani lokal. Sidoqoftë, egziston edhe mundësia që Ivanoviq është parë si dikush që ka vullnet të bashkëpunojë me Prishtinën dhe ndonjë nacionalist serb me lidhje tjera të jashtme ka vendosur ta vrasë. Shumë nga këto do t’i zbulojë hetimi se A ka qënë ky një operim i madh apo vepër penale lokale.

RTK: A mendoni se ne veri veprojne edhe sherbime te cilat jane kunder Kosoves?

Bugajski: Absolutisht. Shërbimet ruse janë veçanërisht aktive në pjesët ku ka mungesë kontrolli të qeverisë, ku mungon autoriteti shtetëror, ku ka më pak rregull dhe ligj, ku ka tensione etnike, ku ka dallime sociale e ekonomike dhe tensionime dhe ku ka organizata kriminale. Shërbimet ruse veprojnë nëpërmjet organizatave kriminale ruse dhe atyre ndërkombëtare. Kjo tregon se mund të ketë dorë ruse aty. Sepse Rusia nuk e dëshiron pajtimin në mes të Serbisë dhe Kosovës.

RTK: Serbia a eshte me afer Perendimit a Lindjes?

Bugajski: Qeveria e Vuçiqit në Beograd dëshiron që Serbia t’i bashkohet BE-së. Por për të arritur këtë qëllim i janë vendosur kushte të caktuara. Me fjalë të tjera, normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Kosovën arrihet nëse nuk përkrahen strukturat paralele në Mitrovicë dhe në komunat në veri të vendit. Kështu që Vuçiq e di se çka duhet të bëjë. Shtrohet pyetja se sa ka presion Vuçiq nga ana ruse, nga nacionalistët por edhe nga kisha ndoshta, kisha ortodokse, që ta parandalojnë të bëjë veprime që do ta çonin Serbinë në BE. Mendoj që kjo është matje e forcave të Beogradit në shumë aspekte në këtë moment, të shihet se në cilën anë do të shkojnë.

RTK: Ballkani dhe veqanerisht Kosova a eshte ende fokus i Washingtonit?

Bugajski: Unë mendoj se disa se disa njerëz në Uashington e kanë kuptuar se misioni në Ballkan nuk ka përfunduar, që jemi larguar shumë her në shumë heret. Bashkimi Evropian nuk e ka kryer procesin e integrimeve. Supozojmë që BE-ja do ta përshpejtojë procesin e integrimeve dhe do ta shtyjë procesin e reformave. Nuk ka qenë e suksesshme siç kemi pritur dhe sot kemi probleme te reja të cilat i kemi parë në disa shtete: Maqedoni, Bosnje, Kosovë, Serbi duke e shtuar edhe elementin destabilizues të pjesëmarrjes aktive ruse. Prandaj SHBA-ja po mundohet t’i zgjidhë tri çështje të hapura: problemin rreth emrit të Maqedonisë me Greqinë i cili po vazhdon ta destabilizojë vendin, në Bosnje sistemin e dy entiteteve të cilat bllokojnë funksionimin e qeverisë qendrore dhe raportet mes Kosoves e Serbisë. Mendoj se politika e SHBA-së do të përqendrohet në këto tri pyetje disa vite në vazhdim.

RTK: Sa jane gjasat qe gjitha shtetet e Ballkanit te anetaresohen ne BE ne vitin 2025?

Bugajski: BE së fundmi ka paraqitur kahjet e Strategjisë në kuadër të anëtarësimit të Ballkanit deri më 2025. Por ka shumë punë për t’u bërë ndërkohë, përfshirë edhe dialogun në mes të Serbisë dhe Kosovës i cili duket sikur ka ngecur këtë kohë por që realisht duhet të ngjallet këtë vit. A jenë në gjendje qeveritë në Prishtinë dhe Beograd ta bëjnë këtë, mbetet të shihet. Mendoj se duhet t’i shtyjmë të dy qeveritë të vijnë deri te marrëveshja sepse ajo automatikisht u shërben të dy anëve, në normalizimin e marrëdhënieve.

RTK: Pse është i rendesishem formimi i ushtrise se Kosoves?

Bugajski: Sigurisht që është e rendësishme. Kosova si shtet plotësisht i pavarur dhe me të drejtë vetëvendosjeje, e cila po shkon drejt anëtarësimit në BE dhe eventualisht në NATO duhet ta ketë ushtrinë e saj. S’do të thotë se duhet të ketë ushtri të madhe, ka shumë vende në BE të cilat kanë ushtri të vogla të cilat nuk paraqesin kërcënim por vetëm ushtri mbrojtëse, forcën mbrojtëse dhe forcën e cila mund të kontribuojë në NATO dhe misione të BE-së jashtë vendit. Mendoj se ky është edhe një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm për të cilin nuk flitet. Kosovarët, njëlloj sikur Forcat e Armatosura të Shqipërisë duhet të marrin pjesë në misionet e NATO-s dhe BE-së, ku mund ta tregojnë aftësinë dhe forcën e tyre. Është në interes të Serbisë të ketë kufi të sigurtë. Shteti i cili ka ushtri ka kufi shumë më të sigurtë dhe stabil se sa shteti pa ushtri. Çështja është që serbët në Kosovë të binden se është në dobi të tyre ta kenë ushtrinë në Kosovë, në të cilën ata si pakicë mund të marrin pjesë. Ka serbë që kanë shkathtësi ushtarake dhe mund të japin kontributin e tyre në ushtrinë kosovare, është interes i përbashkët që të zhvillohet ushtria e Kosvës. Mendoj se është shikim shkurtpamës nëse mendohet se kjo do të paraqiste kërcënim.

RTK: Mesazhi juaj per dhjete vjetorin e pavaresise se Kosoves?

Bugajski: Për njerëzit në Kosovë, mendoj se është bërë mjaft. Mendoni se ku keni qenë para 20 vjetësh. Edhe unë e kam vizituar Kosovën para shpalljes së pavarësisë. Keni kaluar rrugë të gjatë, është bërë shumë tashmë, pavarësia, zgjedhjet demokratike, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, njohja nga 120 shtete, shumica nga ato anëtare të BE-së, lidhjet me SHBA-në dhe përkushtimi i SHBA-së. Megjithatë, ka mbetur edhe shume për t’u bërë. Duhet të kërkoni përgjegjësi nga liderët e zgjedhur për arritjen e rezultateve të cilat do të jenë të dobishme për popullin e Kosovës. Ky është çelësi.