Është arritur marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi

Aktuale February 15, 2018 - 13:16

Gazeta Express merr vesh se vizita e Kryeministrit të Malit të Zi ka dhënë fryte. Dy palët kanë arritur marrëveshje për demarkacionin.

Vizita e Kryeministrit të Malit të Zi Dushko Markoviq në Prishtinë përfundimisht pritet ta zgjidhë çështjen e demarkacionit, e cila po e mban të bllokuar Kosovën tash e tre vjet.

Gazeta Express merr vesh nga burimet e saj se Markoviq gjatë takimeve në Prishtinë me liderët kosovarë ka gjetur gjuhë të përbashkët për çështjen e kufirit dhe se kjo temë do të marrë epilog të shpejtë.

Një burim i besueshëm i ka thënë Gazetës Express se Prishtina dhe Podgorica kanë rënë dakord që në ditët në vijim të kenë një komunikim intensiv që do ta prodhojë zgjidhjen.

“Dy delegacionet e larta janë dakorduar që të ketë një komunikim intensiv ditëve të ardhshme në të gjitha nivelet dhe të shihet se ku mund të jenë bërë gabimet. Pastaj do t’i hapet rrugë ratifikimit me një procedurë të shpejtë. E gjitha do të kryhet gjatë muajit shkurt”, ka thënë një zyrtar i lartë për Gazetën Express.

Gjatë takimeve me udhëheqësit kosovarë Markoviq ka lënë të kuptohet se vendi i tij do të angazhohet që të gjendet një zgjidhje në mënyrë që Kosova ta ratifikojë marrëveshjen.