Gripi bën ''kërdinë'' në Kosovë

Aktuale February 15, 2018 - 08:18

Vetëm gjatë gjashtë ditëve të para të këtij muaji në Kosovë janë raportuar mbi 7100 raste të të prekurve me grip, përderisa gjatë katër muajve mbi 38 mijë kosovarë janë prekur nga gripi, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP) dje përmes një raporti të publikuar për medie ka bërë të ditur se që nga një tetori i vitit të kaluar e deri më 11 shkurt të këtij viti mbi 38 mijë qytetarë janë prekur nga gripi.

Sipas tyre, numri më i madh i personave që janë prekur nga gripi janë nga komuna e Prishtinës, e Prizrenit dhe e Podujevës.

“Nga 1 tetori (java e 40-të) deri më 11 shkurt 2018 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 38.506 raste të dyshimta në grip, 3.932 raste me infeksion respirator akut dhe 74 raste me sëmundje e rëndë respiratore akute. Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës me përjashtim të komunave me popullatë serbe. Numri më i madh i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës, e Prizrenit dhe e Podujevës”, thuhet në raport, shkruan tutje "Zëri".

Ndërsa vetëm prej 5 deri më 11 shkurt numri i rasteve të raportuara të gripit sipas IKSHPK-së ishte 7,123.

LEXO EDHE: Gabriel: Nuk ka BE për Serbinë pa njohjen e Kosovës

“Gjatë javës (5-11 shkurt 2018) janë raportuar 7123 raste të dyshimta të gripit, 333 raste me infeksion respirator akut dhe 6 raste të rënda me sëmundje e rëndë respiratore akute. Në laboratorin e Qendrës Kombëtare të Gripit -IKSHPK deri më 14 shkurt 2018 janë testuar gjithsej 403 mostra për tipizim dhe subtipizim në grip. Prej tyre 202 ose 52% kanë rezultuar pozitive në influencë. Sipas tipit të influencës, 84 mostra janë pozitive në influencën A dhe 118 në influencën B”, shkruan në raportin e publikuar.

Sipas IKSHPK-së, epidemia e gripit sezonal po vazhdon me intensitet të lehtë të shtuar të rasteve të gripit.

Në anën tjetër numri i madh edhe i fëmijëve të prekur nga gripi ka shtyrë këta të fundit dhe Ministrinë e Arsimit të marrin masa.

“MASHT-i ka dhënë rekomandimet për të gjitha institucionet parashkollore, fillore dhe të mesme publike dhe private se të gjithë fëmijët dhe nxënësit me shenja e simptoma të gripit (temperaturë e lartë, lodhje, rrjedhje të hundëve, dhimbje fyti, kollë, barkqitje dhe vjellje, dhimbje koke, barku e muskujsh) t’i shmangen kontaktit me nxënës të shëndoshë dhe të qëndrojnë në shtëpi duke iu përmbajtur rekomandimeve të mjekut”, thuhet nga IKSHPK-ja.

Ata kanë rekomanduar se të gjithë personat të cilët ndihen të sëmurë duhet të paraqiten sa më herët te mjeku familjar për t’i parandaluar komplikimet.
Ndonëse po flitet për numër të madh të qytetarëve të prekur nga gripi, doktorë të Pediatrisë thonë se ka rënë numri i fëmijëve me grip.

Doktoresha e Pediatrisë, Arbnore Batalli-Këpuska, në një intervistë për “Zërin” ka thënë dje se numri i fëmijëve të prekur me grip ka rënë dhe se nuk ka raste emergjente të fëmijëve.

“Kemi një numër të konsideruar të fëmijëve që janë me grip dhe që janë identifikuar nga Instituti Kombëtar. Në krahasim para një muaji kur ka qenë numri shumë më i madh, kur kanë qenë dy fëmijë në një shtrat, tani kemi një numër që pranohen mirëpo nuk janë dy fëmijë në një shtrat, secili fëmijë e ka shtratin e vet. Raste në kuptimin emergjent nuk kemi, pra nuk janë raste vdekjeprurëse, por janë raste që atakojnë infeksionet e rrugëve të sipërme respiratore dhe infeksioneve të poshtme respiratore”, ka theksuar ajo.

Sipas Batalli-Këpuskës, më së shpeshti janë të prekur nga gripi fëmijët nën moshën njëvjeçare nga muaji i parë në muajin e dymbëdhjetë, ndonëse ka edhe fëmijë të moshave tjera që janë të prekur.

Ajo ka treguar se cilat janë simptomat e gripit dhe ka rekomanduar prindërit se si t’i mbrojnë fëmijët nga ky grip.

“Simptomat janë temperatura, kollitje, zënia e hundëve, humbja e apetitit, lodhjet e fëmijëve më të mëdhenj, etj. I rekomandojmë prindërit që sa më pak të kenë vizita nëpër klinika te ata që janë të hospitalizuar, t’ju largohen ambienteve të mbyllura dhe te fëmijët e vegjël që lindin sa ma pak të shkojnë t’i vizitojnë për shkak të prezencës së tyre mund të përhapet infeksioni”, ka thënë ajo.

Përndryshe “Zëri” gjatë vizitës së djeshme në Klinikën e Pediatrisë në QKUK ka parë që numri i pacientëve që kishin shkuar në kontroll dhe i atyre të shtrirë në spital nuk ishte i madh.

“Zëri” ka tentuar që për këtë çështje të kontaktojë edhe me drejtorin e Klinikës Infektive në kuadër të QKUK-së Hamdi Ramadanin, por ai nuk ka pranuar të flasë.