Gabriel: Nuk ka BE për Serbinë pa njohjen e Kosovës

Aktuale February 15, 2018 - 08:02

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, ka uruar Kosovën për 10-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, ndërsa ka ripotencuar qëndrimin se nuk do të ketë anëtarësim të Serbisë në Bashkimin e Evropian pa e njohur shtetësinë e Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Këto deklarata kryediplomati gjerman i ka dhënë në një konferencë për medie pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinajn.

“Do të doja që në emër të Republikës Federale të Gjermanisë t’ju përgëzoj dhe t’ju uroj për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës... Gjermania bën pjesë në grupin e shteteve që ndër të parat e ka njohur Kosovën. Duhet të jeni krenarë për të arriturat në këto 10 vjet dhe ju përgëzoj edhe një herë. Gjermania dëshiron të mbetet edhe në të ardhmen një partner i qëndrueshëm, jo vetëm në sferën politike, por edhe në atë ekonomike”, është shprehur Gabriel.

LEXO EDHE: Haradinaj - Markoviq pa zgjidhje për demarkacionin

Ai më tej ka thënë se edhe gjatë vizitës në Beograd ia ka bërë të ditur Serbisë se pa njohjen e Kosovës ajo nuk do të mundë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

“Sot ne e përmendëm edhe në Beograd se edhe Serbia duhet t’i përmbushë kriteret e saj për anëtarësimin në BE, të ketë sundim të ligjit, raporte të mira fqinjësore dhe ta njohë Kosovën”, ka deklaruar Gabriel, shkruan tutje "Zëri".

Shefi i diplomacisë gjermane po ashtu ka thënë se ky shtet është i gatshme që ta ndihmojë Kosovën në çdo fushë dhe u shpreh i lumtur “që ka vullnet” për ratifikimin e Demarkacionin me Malin e Zi në mënyrë që Kosova të fitojë liberalizimin e vizave.

“Përveç kësaj ne jemi t’ju ndihmojmë edhe për çështje jo të këndshme, për Dhomat e Specializuara që do t’i trajtojnë krimet e luftës. Unë jam i lumtur që kam dëgjuar se ka vullnet për t’u zgjidhur edhe çështja e demarkacionit me Malin e Zi. E mbështesim këtë sepse është në të mirën e qytetarëve të Kosovës, në mënyrë që ky kriter të plotësohet dhe të ketë liberalizim vizash”, ka potencuar Gabriel.

Ai po ashtu ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të punojnë më seriozisht për kryerjen e reformave dhe për zbatimin e ligjit.

“Duhet të zgjidhen sfidat, si zbatimi i ligjit, zbatimi i reformave, po ashtu edhe çështja e gjyqësorit të pavarur”, ka deklaruar Gabriel.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë ka folur edhe për Strategjinë e Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor dhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE.

Sipas Gabrielit, për t’i bindur pesë shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën nevojitet arritja e një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova dhe Serbia nuk do të mundë të hyjnë në BE pa e njohur njëra-tjetrën”, është shprehur më tej Gabriel.

Në anën tjetër kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka falënderuar Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme që ia ka dhënë Kosovës deri në ditët e sotme.

“Falënderojmë Gjermaninë për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës në të gjitha etapat. Që nga kohërat më të vështira që ka pasur Kosova e deri më tash kur kemi përkrahjen e vazhdueshme për rrugën tonë drejt integrimit evropian. Shpreh falënderimet në emër të të gjithëve për popullin tuaj”, ka thënë Haradinaj.