Qeveria ndan 600 mijë euro për 10-vjetorin e Pavarësisë

Aktuale February 14, 2018 - 08:10

Qeveria e Kosovës ka miratuar buxhetin prej 600 mijë eurosh për shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Ky vendim është marrë vetëm katër ditë para shënimit të kësaj feste, ndërkohë ministri i Financave, Bedri Hamza, ka kërkuar që në të ardhmen organizmit e tilla të planifikohen më herët, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se mjetet ndahen nga kategoria e shpenzimeve të rezervës.

“Në rend është shqyrtimi i propozim-vendimit për ndarjen e mjeteve për shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë. Janë 600 mijë euro për shënimin e Pavarësisë së Kosovës. Këto mjete propozohen të ndahen nga kategoria e shpenzimeve të rezervës dhe do të barten në Ministrinë e Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit, në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve”, ka thënë Haradinaj.

Kurse ministri i Financave, Bedri Hamza, ka kërkuar që kur të bëhet fjalë për organizime të tilla të planifikohen më herët në mënyrë që të planifikohen edhe shuma buxhetore për ngjarje të caktuara.

 “Ministria e Financave e përkrah këtë kërkesë, por kam një lutje për organizatat buxhetore që për ngjarje të cilat dihet se do të ndodhin dhe që kanë kosto është mirë që të planifikohen. Unë kam pasur kërkesë edhe nga kryeministri Haradinaj që të ndahen këto mjete, por është mirë që kërkesa të tilla të jenë pjesë e planifikimeve të buxheteve të rregullta në mënyrë që ne ta kemi më të lehtë, pra të bëhet me kohë”, ka deklaruar Hamza. 

Kryeministri Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë ka konfirmuar se të mërkurën Kosovën do ta vizitojë kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Ai u ka kërkuar ministrave, zëvendësministrave dhe deputetëve që të kenë kujdes për përgjegjësitë e tyre në këtë kohë kur jemi në prag të 10-vjetorit të Pavarësisë.

“Nesër e viziton Kosovën kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviq dhe është nder për ne vizita e tij. Dua që të merrni përgjegjësi dhe t’u ndani kohë atyre që vijnë”, ka thënë Haradinaj.

 

Ai po ashtu ka bërë të ditur se ka dhënë urdhër që të vendoset flamuri i Kosovës “Te rrethi” në Prishtinë, e cila u bë temë diskutimi ditëve të fundit pasi aty ishte vetëm flamuri kombëtar.

“Sot kam dhënë detyrë që të vendoset flamuri i Kosovës ‘Te rrethi’ në Prishtinë. E di që ka pasur debate, por kisha dashur që këto ditë të kemi kujdes dhe ta respektojmë këtë ditë, këto çaste. Pastaj vjen 19 shkurti dhe mund t’i vazhdoni sërish debatet”, ka shtuar Haradinaj.

Ndërkohë zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, ka ngritur çështjen e Memorialit Përkujtimor të familjes Jashari në Prekaz. Ai ka kërkuar nga Qeveria që javën e ardhshme të ndërmarrë masa për këtë Memorial.

“Edhe javën e kaluar kam dashur ta shtrojë si temë dhe besoj se është momenti që t’i japim rrugë çështjes së Kompleksit Memorial në Prekaz. Të gjithë e dimë që është një nevojë urgjente e konservimit të Memorialit në Prekaz. Ka nevojë për një angazhim shtesë dhe Qeveria duhet ta ketë prioritet dhe ta marrë përsipër që të mos bijë deri te shembja. Gjatë kësaj jave do t’i marrim informacionet e nevojshme dhe gjatë javës së ardhshme do të gjendet zgjidhja. Pres kryeministër që në javën e ardhshme të kemi një ide për këtë”, është shprehur Limaj. 

Këtë propozim të Limajt e ka mbështetur ministri i Financave Bedri Hamza, i cili ka thënë se Ministria që ai drejton do ta përkrahë çdo aktivitet në mbështetje të këtij Memoriali.