Peterle: Zgjedhjet ishin të lira dhe demokratike

Aktuale February 14, 2018 - 08:03

Shefi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian në Kosovë, Alojz Peterle, gjatë ditës së djeshme ka bërë prezantimin e raportit final për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe kuvendeve komunale të mbajtura në fund të vitit të kaluar, me ç’rast ai i ka cilësuar këto zgjedhje si të lira e demokratike, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Peterle ka kërkuar nga drejtuesit e institucioneve kosovare që të vazhdohet me reformën elektorale, duke dhënë kështu edhe rekomandime nga Bashkimi Evropian se si këto reforma do të duhej të bëhen.

Sipas tij, këto reforma do të forcojnë edhe më shumë demokracinë në vend, por edhe do të jetë rrugë për integrim të Kosovës drejt BE-së.

“Procesi zgjedhor do të përmirësojë kredibilitetin e integritetin e Kosovës në BE. Kjo e fundit është e gatshme për të ofruar ndihmë dhe mbështetje financiare në zbatimin e rekomandimeve të misionit tonë dhe rekomandime të tjera që do ta çonin përpara procedurën e zgjedhjeve në Kosovë”, ka thënë Peterle.

Ai bëri të ditur se BE-ja do ta mbështesë Kosovën në mënyrë që të çojë këtë reformë përpara.

“Reforma zgjedhore është gur themeli drejt BE-së. BE-ja është e gatshme të ofrojë ndihmë financiare dhe teknike për ta çuar përpara reformën zgjedhore. Bashkimi Evropian më 20 shkurt 2018 do të organizojë tryezë të përbashkët për të diskutuar për të gjitha rekomandimet dhe ato që mund të bëhen”, ka thënë ai.

Peterle dha edhe një varg rekomandimesh, mes të cilave vëmendje më të theksuar i dha pjesëmarrjes së grave në procesin zgjedhor dhe jetën politike, ku tha se partitë politike duhet të mbajnë premtimet e vitit 2015 për të pasur 40 për qind gra në strukturat e tyre.

“Dobësi të kahershme të procesit zgjedhor në Kosovë duhet të adresohen mjaftueshëm, për shembull, çështjet lidhur me regjistrimin e votuesve, trajnimin dhe profesionalizimin e këshillave të vendvotimeve, mangësitë në sistemin e votimit jashtë Kosovës, stimulimin e kufizuar për ndjekje penale, etj.”, ka thënë Peterle.

Sipas Peterles, nevojitet vullnet politik nga i gjithë spektri politik për t’i adresuar rekomandimet duke përfshirë ato parësore të cilat përmbajnë përmirësime në listën e votimeve, mbikëqyrje më të mirë mbi shpenzimet e fushatës dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në procesin zgjedhor.

Peterle gjatë ditës së hënë raportin ua ka dorëzuar edhe presidentit Hashim Thaçi, edhe kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) Valdete Dakës.