Pahor: Është e vështirë, por duhet ta ratifikoni Demarkacionin

Aktuale February 14, 2018 - 07:53

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, në adresimin e tij në Kuvendin e Kosovës i ka inkurajuar deputetët që t’i miratojnë marrëveshjet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Marrëveshjen e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi.

Pahor ka thënë se po viziton Prishtinën në prag të 10-vjetorit të Pavarësisë “për t’i thelluar marrëdhëniet” në mes të Sllovenisë dhe Kosovës.

Kreu i shtetit slloven ka thënë se e di se sa e vështirë është ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, por nuk ka mënyrë tjetër.

“Ju inkurajoj që të mos hezitoni ta miratoni Marrëveshjen për Demarkacionin. E di sa është e vështirë, por nuk ka mënyrë tjetër. Si mik ju inkurajoj që të mos hezitoni t’i zgjidhni këto çështje, që të keni guxim politik e cila do t’ju çojë drejt BE-së e NATO-s dhe Sllovenia do t’ju përkrahë në këtë drejtim”, është shprehur Pahor.

Ai më tej ka thënë se populli slloven dhe shqiptarët e Kosovës kanë mbështetur njëri-tjetrin për pavarësinë e shteteve përkatëse dhe se të dyja shtetet e kanë për detyrë t’i mbrojnë të drejtat e minoriteteve.

Pavarësisht problemeve, sipas Pahorit, Sllovenia po vazhdon angazhimin për përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët. Kështu ai ka bërë thirrje që të vazhdohet dialogu me Serbinë.

“Në Kosovë kam ardhur si mik i kosovarëve, i serbëve dhe i nacionaliteteve të tjera që jetojnë këtu. Si mik juaji ju inkurajoj që t’i vazhdoni bisedimet me Serbinë, por edhe t’i zbatoni marrëveshjet e arritura. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për t’i zgjidhur marrëveshjet, por edhe për stabilitetin politik për të gjithë rajonin. Ju jeni të vetëdijshëm për përkrahjen e Sllovenisë për të arritur paqe për gjithë Ballkanin Perëndimor dhe për gjithë Kosovën”, ka deklaruar kreu i shtetit slloven.

Kurse kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në hapjen e seancës solemne ka  thënë se vizita e presidentit Pahor në Kosovë është dëshmi e partneritetit dhe e miqësisë që kanë ndërtuar dy shtetet.

“Sllovenia në vazhdimësi ka qenë përkrah Kosovës në të gjitha proceset e saj historike. Duke pasur këtë mbështetje sot Kosova ndihet më e sigurt dhe më e fuqishme në rrugën e saj euroatlantike. Adresimi i presidentit slloven Borut Pahor në Kuvendin e Kosovës shpreh më se miri frymën e partneritetit dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve tona”, ka deklaruar Veseli.

I pari i Sllovenisë të martën ka takuar edhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe përfaqësues të partive politike.