Markoviq sot e nesër në Kosovë, takon tre liderët

Aktuale February 14, 2018 - 07:45

Kryeministri malazez, Dushko Markoviq, sot dhe nesër do të qëndrojë në Kosovë me ftesë zyrtare të kryeministrit Ramush Haradinaj. Gjatë kësaj vizite Markoviq do të takojë kryeministrin Ramush Haradinaj, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe presidentin Hashim Thaçi, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Në këto takime do të diskutohet për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet të dyja shteteve, si dhe për Marrëveshjen e Demarkacionit të Kufirit.

Markoviq në aeroportin e Prishtinës "Adem Jashari" do të pritet nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha, dhe ambasadori i Kosovës në Malin e Zi, Skender Durmishi.

Më pas ai do të takohet me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinajn me të cilin do të bisedojë në mes tjerash edhe për çështjen e demarkacionit.

Markoviq në Kosovë do të qëndrojë edhe të enjten kur do të takohen me kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin dhe me presidentin e shtetit Hashim Thaçin.

Qeveria: Do të diskutohet çështja e demarkacionit

Donjeta Gashi, nga zyra e kryeministrit në një përgjigje dhënë “Zërit”, bëri të ditur që një ndër çështjet që do të diskutohet në këtë takim është edhe çështja e demarkacionit

“Gjatë takimit do të diskutohen shumë çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e të dyja vendeve, vendosja e marrëdhënieve bilaterale, siç është realizuar një takim i dy qeverive me Shqipërinë, siç po planifikohet me Maqedoninë dhe në një të ardhme pse jo edhe me Malin e Zi. Natyrisht që do të diskutohet edhe çështja e demarkacionit”, ka thënë Gashi.

Detaje të tjera Gashi nuk ka dhënë duke thënë vetëm se ato do të jepen vetë nga dy kryeministrat në konferencë për shtyp pas takimit të tyre.

Vizita e Markoviqit mund të jetë zgjidhje për demarkacionin

Artan Murati, nga KDI-ja, ka thënë që vizita e kryeministri malazez Dushko Markoviq do duhej të shërbejë si zgjidhje për demarkacionin. “Kjo vizitë duhet të shërbejë si një vizitë e cila do të gjejë një zgjidhje për demarkacionin. Mendoj që Kosova nëse nuk arrin ta ratifikojë këtë marrëveshje brenda një periudhe deri në muajin mars, ajo nuk do të mundë të përfitojë nga liberalizimi i vizave e nëse as këtë vit nuk e arrijmë këtë marrëveshje atëherë do të hyjmë në ujëra të panjohura sepse nuk e dimë çka do të sjellin zgjedhjet e reja”, ka thënë Murati.

Edhe analisti i çështjeve politike Rasim Alija e cilëson këtë vizitë si vendimtare për pozicionin e Malit të Zi për çështjen e demarkacionit.

“Vizita e kryeministrit malazez është e rëndësishme sepse kjo vizitë pritet të sqarojë përfundimisht pozicionin e Malit të Zi lidhur me demarkacionin. E gjitha çfarë mund të presim nga ky takim është një konferencë për medie të dy kryeministrave për gatishmërinë e të dyja vendeve për një gjetje kompromisi”, ka thënë Alija.

Ndërsa analisti Ramush Tahiri për “Zërin” ka thënë se çështja e Demarkacionit është çështje vetëm e shtetit të Kosovës, pasi Mali i Zi e ka kryer pjesën e vet.

“Kjo është vizitë rutinë dhe është vizitë kthyese e bilaterale. Bisedohen të gjitha temat që janë me interes. Ndërsa çështja e Demarkacionit si ribisedim nuk është në mandatin e Markoviqit sepse ai e ka kaluar këtë marrëveshje në Kuvend dhe nuk mund më të bisedojë për pretendimet e kosovarëve”, ka thënë Tahiri.

Sipas Tahirit, demarkacioni është çështje e brendshme e Kosovës dhe ka mbetur pa u zgjidhur vetëm për arsye politike.