Haradinaj: Flamuri kombëtar, flamur i lirisë sonë

Aktuale February 13, 2018 - 22:07

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka dalë në mbrojtje të vendimit të tij për vendosjen e flamurit shtetëror në vend të flamurit kombëtar “Te Rrethi” në Prishtinë.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “vendosja e flamurit të shtetit të Kosovës bëhet në respekt të shtetit të Kosovës dhe shënimit të përvjetorit të dhjetë të shtetit tonë”.

Postimi i plotë i Haradinajt:

“Flamuri kombëtar është flamuri i lirisë sonë. Me shekuj kemi rrugëtuar me këtë flamur dhe gjithmonë do ta duam dhe do ta respektojmë.

Vendosja e flamurit të shtetit të Kosovës bëhet në respekt të shtetit të Kosovës dhe shënimit të përvjetorit të dhjetë të shtetit tonë. Me këtë flamur synojmë njohjen ndërkombetare. Me këtë flamur zhvillojmë Kosovën dhe të ardhmen euro-atlantike.

Të dashur qytetarë,

Ta ruajmë rrugëtimin, edhe ashtu të vështirë, të shtetit tonë të ri” (sic.), ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, ishte kryeministri Haradinaj që sot kishte urdhëruar vendosjen e flamurit shtetëror në hapësirën “Te Rrethi”, aty ku është i vendosur flamuri kombëtar.