Shpresat për demarkacion tek vizita e Markoviqit

Aktuale February 13, 2018 - 08:12

Vizita e kryeministrit të Malit të Zi Dushko Markoviq në Prishtinë shihet si mundësi për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Zvarritja e çështjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi pritet të përfundojë pas vizitës së kryeministrit të Malit të Zi Dushko Markoviq në Kosovë.

Përfaqësues të partive politike dhe analistë politikë thonë se takimi i kryeministrit Ramush Haradinaj me homologun e tij malazez është një mundësi për zhbllokimin e demarkacionit.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur për gazetënZërise kryeministri malazez do të qëndrojë në Kosovë të mërkurën dhe të enjten.

LEXO EDHE: Pahor: Të ratifikohet Demarkacioni!

Ndonëse është bërë e ditur se në takimin ndërmjet dy kryeministrave do të bisedohet për çështjen e demarkacionit, Qeveria nuk ka dhënë më shumë detaje mbi këtë çështje.

“Kryeministri i Malit të Zi do ta vizitojë Kosovën më 14 dhe më 15 shkurt 2018. Temat që do të diskutohen janë marrëdhëniet mes të dyja vendeve, bashkëpunimet reciproke, por edhe demarkacioni”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë dhënë gazetës Zëri.

Haliti: Pa konsensus s’ka demarkacion në seancë

Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti ka thënë se çështja e demarkacionit nuk do të vijë në Kuvend pa u arritur konsensus brenda Qeverisë.

“Në momentin që do të jemi të gatshëm dhe të përgatitemi për një vendim konsensual për demarkacionin do të vijë në Kuvend. Në qoftë se nuk ka një vendim ose një marrëveshje që të ketë konsensus me më shumë se 80 vota atëherë nuk do të vijë në seancë sepse do të ishte gabim nëse e sjellim në seancë dhe dështon”, ka thënë ai.  

Haliti tha se do të duhej që grupet parlamentare t’i fillonin bisedimet që t’i bindin të gjithë deputetët për kalimin e çështjes së demarkacionit.

“Mendoj se grupet parlamentare ose liderët e partive do të duhej të kishin një hapësirë për të diskutuar me argumente e jo me emocione sa i përket demarkacionit”, tha ai. 

AAK-ja e Nisma, shpresat tek vizita e Markoviqit

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, konsideron që zgjidhja për demarkacionin do të arrihet gjatë vizitës së kryeministrit malazez në Kosovë.

“Sigurisht se do të bisedohet edhe për demarkacionin, do të shikohet të gjendet një modul që të dalin të kënaqura edhe pala kosovare, edhe pala malazeze. Do të rishikohen ato pikat ku duhet të trajtohet kjo çështje dhe ndoshta me mirëkuptim nga të dyja palët do të gjendet një zgjidhje”, tha ajo.

E pyetur nëse do të votonin versionin e propozuar nga zëvendëskryeministri Limaj, ajo tha se AAK-ja ende nuk e ka diskutuar këtë.

“Nuk e kemi diskutuar në këtë format. Nuk ka diçka konkrete, në momentin që do të ketë ne si Kryesi do ta debatojmë. Por po presim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Kadrijaj.

Kurse deputeti i Nismës Enver Hoti pret që të dyja qeveritë do të arrijnë të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për demarkacionin.

“Ne presim të ketë zotime shtesë nga Qeveria e Malit të Zi e nga Qeveria jonë dhe të shkohet drejt përmbylljes së demarkacionit, i cili do të ishte në interes të të dyja palëve. Qeveritë duhet të punojnë ngushtë që të gjejnë zgjidhje. Pra, rolin vendimtar tani e ka Qeveria duke i bindur deputetët me fakte”, tha ai.  

Ndërkaq i pyetur nëse Nisma do ta votojë versionin aktual të Demarkacionit nëse vjen në Kuvend Hoti la të kuptohet që kjo edhe mund të ndodhë.

“Ne do të jemi aty dhe do të shohim. Varet se si do të vijë”, përfundoi ai.

Avdyli, skeptik për gjetjen e një zgjidhjeje

Ndërsa deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka thënë se është pak optimist që kjo Qeveri të gjejë zgjidhje për demarkacionin.

Megjithatë ka thënë se pret nga vizita e kryeministrit malazez në Kosovë që të gjendet një zgjidhje kreative, e cila do të zhbllokonte rrugën e Kosovës drejt liberalizimit të vizave. Avdyli kritikoi partinë e kryeministrit për punën që ka bërë deri më tani dhe tha se LDK-ja është e gatshme në çdo moment për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”.

“Fatkeqësia është që një parti e vogël si AAK-ja, e cila ka një numër të vogël të deputetëve, të jetë një parti që tani po bllokon proceset. Kjo parti më shumë e ka interesin e vet politik sesa interesin e Kosovës. Kjo Qeveri duhet të bjerë sa më shpejt sepse s’e kanë kapacitetin dhe forcën politike për t’u prirë këtyre proceseve të mëdha. Ne si LDK jemi të gatshëm që të japim kontributin në rrëzimin e kësaj Qeverie”, përfundoi ai. 

Demarkacioni të përfundojë në shkurt

Imer Mushkolaj, njohës i çështjeve politike, ka thënë se çështja e demarkacionit duhet të përfundojë sa më shpejt. Ai tha se deputetët edhe në versionin aktual kanë mundësinë që pas miratimin të përmirësohen gabimet eventuale.

“Vizita e kryeministrit malazez do të duhej të ishte finalja e një marrëveshjeje që do të duhej të ishte arritur deri më tash. Kam parasysh edhe vizitën që ka zhvilluar Limaj dhe këto deklarata janë dhënë se ekziston një mundësi për ta zgjidhur problemin. Unë besoj se mundësia mund të gjendet edhe në projektligjin aktual që deputetët kanë për ta votuar, në të cilin jepet mundësia që të përmirësohen gabimet eventuale dhe në këtë aspekt besoj se duhet marrë vesh edhe me Malin e Zi”, tha ai.  

Mushkolaj tha se shkurti është koha kur do të duhej që kjo marrëveshje të kalojë. Përndryshe, sipas tij, nëse kjo nuk ndodh në shkurt Kosova humb shumë në aspektin ndërkombëtar.

“Nëse nuk kalon gjatë shkurtit, atëherë nuk ka kurrfarë kuptimi që të merremi me këtë temë për shkak se humbim hapin edhe në liberalizim, edhe në çështje tjera që kanë të bëjnë me integrimet”, ka thënë ai.

Sipas tij, zgjidhja e vetme për demarkacionin është që të kalohet ky version aktual me mundësi rishikimi.