Aktuale

KQZ-ja, pa mandat

KQZ-ja, pa mandat
12 shkurt 2018 • 08 : 01 Foto: Driton Bublaku

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhej të kishte përbërje të re që nga muaji shtator, megjithatë ende nuk dihet se kur do të emërohen përfaqësuesit e rinj, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kryesuesja dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) tashmë janë pa mandat, ndërkohë presidenti i vendit Hashim Thaçi ende nuk ka ndërmarrë asnjë hap për emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet, emërimi i anëtarëve të rinj të KQZ-së është dashur të bëhet më së voni në fillim të muajit shtator, por për shkak se vendi po hynte në procesin e zgjedhjeve lokale presidenti Hashim Thaçi ua kishte vazhduar mandatin edhe për 90 ditë që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare.

Megjithatë, emërimi i anëtarëve të rinj të KQZ-së nuk është bërë, ndërkohë që nuk dihen arsyet.

LEXO EDHE: Telekomi drejt humnerës, 31 milionë euro humbje

Gazeta Zëri ka kërkuar sqarime nga Zyra e Presidentit, por nuk ka marrë përgjigje.

Në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit, koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) duhet t’i ketë dy përfaqësues në KQZ, sikur që edhe “Vetëvendosja” dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa duhet t’i kenë nga dy përfaqësues.

Por, burime të Zërit bëjnë të ditur se presidenti Thaçi kohë më parë ka planifikuar që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar nëse koalicioni PAN duhet t’i ketë vetëm dy përfaqësues apo nëse pas formimit të Grupit Parlamentar të AAK-së dhe atij të Nismës duhet që PDK-së, AAK-së dhe Nismës t’u ndahet nga një vend në KQZ.

Rrustemi: Thaçi qëllimisht po e zvarrit emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së

Anëtari i KQZ-së nga radhët e lëvizjes “Vetëvendosje”, Adnan Rrustemi, ka thënë për “Zërin” se në bazë të Ligjit për Zgjedhjet përbërja e KQZ-së do të duhej të ndryshonte në fillim të muajit shtator.

 “Në bazë të Ligjit për Zgjedhje, Nenit 61, paragrafi 4, mandati i anëtarëve të KQZ-së fillon jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend. Rezultatet e zgjedhjeve për Kuvend të Kosovës janë certifikuar më 8 korrik dhe sipas ligjit do të duhej që përbërja e KQZ-së të ndryshonte më së largu deri në fillim të shtatorit të vitit të kaluar dhe kështu është dashur që KQZ-ja të kishte përbërje të re në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit”, ka deklaruar Rrustemi.

Ai më tej ka thënë se Presidenca mosemërimin e anëtarëve të rinj e ka arsyetuar me faktin se ishin shpallur zgjedhjet lokale dhe se mandati mund të zgjatej edhe për 90 ditë.

Sipas tij, pas certifikimit të zgjedhjeve lokale është dashur të emërohen anëtarët e rinj.

“Presidenca në bazë të një dispozite të ligjit e kishte arsyetuar mosemërimin e anëtarëve të KQZ-së me faktin që ishin shpallur zgjedhjet lokale, duke e interpretuar se anëtarëve aktualë u zgjatet mandati edhe për 90 ditë. Por, tashmë që zgjedhjet lokale kanë përfunduar dhe pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve lokale është dashur që menjëherë të emëroheshin anëtarët e KQZ-së në bazë të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit”, ka shtuar Rrustemi.

Ai më tej ka thënë se në bazë të Kushtetutës së Republikës përbërja e KQZ-së reflekton grupet parlamentare të dala nga zgjedhjet e fundit për Kuvendin e Kosovës.

Në bazë të  kësaj, sipas Rrustemit, gjashtë anëtarë ndahen në mënyrë të barabartë, nga dy anëtarë për secilin nga tri subjektet politike shqiptare: 2 për lëvizjen “Vetëvendosje”, 2 për koalicionin PAN dhe 2 për koalicionin LAA.

Por, sipas Rrustemit, presidenti Hashim Thaçi qëllimisht po e zvarrit emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së.

“Duket sheshit që ky proces po zvarritet qëllimshëm nga presidenti për faktin që në bazë të zgjedhjeve të 11 qershorit PDK-së nuk do t’i takojnë dy anëtarë, siç ishin deri më tani, por vetëm një, ndërsa lëvizja “Vetëvendosje” do t’i ketë dy anëtarë në KQZ. Kjo zvarritje është kundërkushtetuese dhe e kundërligjshme dhe për çfarëdo pengimi të këtij procesi presidenti mban përgjegjësi ligjore dhe kushtetuese. Prandaj, është imediate, përveçse obligim ligjor, që të emërohen anëtarët e KQZ-së dhe të kryesuesit, të cilët aktualisht janë pa mandat ligjor”, është shprehur Rrustemi.

Edhe ish-kryesuesi i KQZ-së Mazllum Baraliu ka thënë se kryesueses dhe anëtarëve të KQZ-së u ka përfunduar mandati pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit dhe se tashmë do të duhej që në KQZ të kishte përfaqësim të ri.

“Pas zgjedhjeve parlamentare u ka përfunduar mandati, presidenti ua vazhdoi mandatin për 90 ditë pasi kishim zgjedhje lokale. Por kjo periudhë ka përfunduar dhe ende nuk dihet se ç’është bërë. Nuk kemi përfaqësim të ri. Do të duhej të respektohen mandatet kushtetuese dhe ligjore”, ka potencuar Baraliu, duke thënë se në bazë të Kushtetutës “Vetëvendosja” duhet t’i ketë dy përfaqësues në KQZ dhe se po aq duhet t’i kenë edhe koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) dhe LDK-ja me partnerët e saj.

Hamiti: LDK-ja, PAN-i dhe “Vetëvendosja” do t’i kenë nga 2 anëtarë në KQZ

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sami Hamiti, ka thënë për “Zërin” se pas zgjedhjeve të 11 qershorit LDK-ja, koalicioni PAN dhe “Vetëvendosja” do t’i kenë nga dy përfaqësues.

“Grupet parlamentare nga komuniteti shumicë (shqiptarë) përfaqësohen me 6 anëtarë në KQZ, që i bie se dy grupet i kanë nga dy përfaqësues. Është e precizuar saktë kjo çështje. Ka ndodhur një precedent për çështjen e grupeve parlamentare dhe Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar. Grupe parlamentare konsiderohen ato që janë certifikuar për zgjedhje. Ndarjet e mëvonshme nuk vlejnë. Pra është e qartë se 2 përfaqësues do t’i ketë LDK-ja, 2 ‘Vetëvendosja’ dhe 2 PAN-i vetë i 15-ti, siç ka garuar në zgjedhje”, është shprehur Hamiti.

Kurse sa i përket mandatit të kryesueses dhe anëtarëve të KQZ-së, Hamiti ka thënë se pasi u është vazhduar mandati për shkak të kohës së afërt për mbajtjen e zgjedhjeve lokale tashmë kjo përbërje e KQZ-së ka mandat deri në fund të marsit.

 “... kemi hyrë në zgjedhjet lokale pa u përfunduar ato parlamentare dhe sipas ligjit automatikisht vazhdohet mandati, kështu që kemi ardhur në përfundim se më 27 dhjetor është certifikuar rezultati për zgjedhjet në Istog dhe atëherë jepen 90 ditë kohë, pra deri më 27 mars duhet të kemi përbërje të re. Më 27 mars më së voni duhet të ketë nominime të reja, pasi nga kjo datë të gjithë do të jemi pa mandat, edhe kryesuesja, edhe të gjithë anëtarët”, ka përfunduar Hamiti.

Në anën tjetër, partnerët e koalicionit PAN (PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma) nuk kanë dhënë përgjigje nëse kanë diskutuar lidhur me përfaqësimin e tyre në KQZ. 

© zëri.info