Pacolli: Të vendoset flamuri i Kosovës te 'Rrethi'

Aktuale February 11, 2018 - 22:28

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës, për ta vendosur flamurin e Kosovës në rrethrrotullimin në hyrje të Prishtinës.

“Këtë javë vendi ynë është nikoqir i shumë mysafirëve që vijnë për rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

“Komuna e Prishtinës duhet patjetër të vendosë flamurin e Kosovës ”të rrethi” i Prishtinës. Kjo është dashur të ndodhë shumë më herët. Kudo që ne shkojmë, na nderojnë me flamurin tonë. Por tani ne duhet së pari të nderojmë veten”, shtoi ai.

Vendosja e flamurit të Kosovës aty ku prej vjetësh është i vendosur flamuri i Shqipërisë u kërkua edhe nëpërmjet një peticioni online.

Ndërkohë, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti thotë se nuk është përgjegjës për kthimin e flamurit të Republikës së Kosovës në hyrje të Prishtinës-te Rrethi.

“ Ajo nuk ka qenë asnjëherë përgjegjësi e komunës së Prishtinës.  Nuk është e nënshkruar as me protokoll që flamurin atje duhet ta kemi kështu apo ashtu. Atëherë nuk e ka pas hequr komuna, atë e kenë bërë dhe qytetarët, edhe ata kanë marrë pjesë në vendosjen e flamurit kombëtar.  Kjo tregon se nuk është përgjegjësi e jona edhe kthimi i flamurit të Kosovës. Kjo mbetet edhe të diskutohet në ditët e ardhshme”, ka thënë Ahmeti.

Kur Shpend Ahmeti, pati marrë në udhëheqje Komunën e Prishtinës, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kishin vendosur flamurin kombëtar në atë vend.