Reagon edhe ambasada e Austrisë në Kosovë pas deklaratave të zëvendëskancelarit austriak

Aktuale February 11, 2018 - 21:37
Ky është reagimi i ambasadës austriake

Ambasada e Austrisë në Kosovë ka reaguar pas raportimit në media se zëvendëskancelari austriak, Heinz-Christian Strache, ka thënë se Kosova është pjesë e Serbisë.

Ambasadori austriak në Kosovë, Gernot Pfandler, ka thënë se Austria s’ka ndryshuar qëndrim ndaj Kosovës, teksa Strache ka mohuar, nëpërmjet zëdhënësit të tij, se ka dhënë deklaratën kontroverse për gazetën serbe “Politika”.

“S’ka ndryshim të qëndrimit austriak karshi Kosovës”, ka shkruar ambasadori austriak në llogarinë e tij, në Twitter.

LEXO EDHE: 'Strache nuk ka thënë ''Kosova është Serbi'''

“Austria është një ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën, dhe që atëherë është një prej mbështetëseve më të fuqishme të Republikës së Kosovës dhe të perspektivës së saj evropiane”, ka theksuar ai.

Reagimi i tij vjen pasi zëvendëskancelari i Austrisë u raportua të ketë thënë sot se Kosova është pjesë e Serbisë. Por, nëpërmjet zëdhënësit të tij, ai ka mohuar të jetë shprehur kështu për gazetën serbe “Politika”.