Osmani: Deklaratat e zëvendëskancelarit austriak, të rrezikshme për destabilizimin e rajonit

Aktuale February 11, 2018 - 20:30

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar në drejtim të deklaratës së zëvendëskancelarit austriak, Heinz-Christian Strache, ku u raportua të ketë deklaruar  që veriut të Kosovës duhet t’i jepet e drejta për vetëvendosje.

Deputetja Osmani me këtë rast ka thënë se deklarimet e tilla janë të rrezikshme në aspektin e sigurisë dhe hapin rrugë jo vetëm për destabilizim të rajonit por edhe të pjesëve të tjera të Evropës.

Gjithashtu Osmani ka shtuar se Austria gjithnjë ka pasur qëndrim konsistent në raport me pavarësinë e Kosovës dhe integrimin territorial të saj.

LEXO EDHE: Kosova shkakton 'përçarje' në Austri

E lidhur me këtë  ka reaguar edhe Ministrja  Punëve të Jashtme të Austrisë e cila është distancuar nga deklarata e zëvendës-kancelarit të Austrisë.

Ky është postimi i plotë:

Kushdo që propozon ide për t’i dhënë të drejtën në vetëvendosje veriut të Kosovës flet në kundërshtim me parimet dhe rregullat bazë të së drejtës ndërkombëtare lidhur me të drejtën në vetëvendosje.

Por, përtej aspektit juridik, deklaratat e tilla janë më së tepërmi të rrezikshme në aspektin e sigurisë dhe hapin rrugë jo vetëm për destabilizim të rajonit tonë por edhe të pjesëve të tjera të Evropës.

Është e qartë se deklarata e sotme e Zëvendës-Kancelarit austriak Heinz Christian Strache është edhe në kundërshtim me politikat e Bashkimit Evropian në raport me Ballkanin Perëndimor dhe qëndrimin e palëkundur të shumicës së shteteve të botës demokratike për pacenueshmërinë e kufijve të Kosovës.

Por, kjo nuk do te ishte hera e parë që partia e Heinz-Christian Strache bie ndesh me politikat dhe parimet e BE-së. Mjafton të përmendet që për shumë vite me rradhë lider i asaj partie ishte ultranacionalisti Jorg Haider.

Përndryshe, Austria gjithnjë ka pasur qëndrim konsistent në raport me pavaresinë e Kosovës dhe integritetin territorial te saj.

Prandaj, jam e bindur që zëri i zv.Kancelarit Strache do të mbetet zë i vetmuar.