Ahmeti thotë se nuk është përgjegjësi e tij vendosja e flamurit të Kosovës te rrethi

Aktuale February 10, 2018 - 20:40

Aty ku prej vitesh është i vendosur flamuri kombëtar, te rrethi kryesor në Prishtinë, disa të rinj në Facebook po kërkojnë që i njëjti të zëvendësohet me flamurin e Kosovës.

Kthimi i flamurit të Kosovës po kërkohet pikërisht në dhjetëvjetorin e pavarësisë.

Por, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, po e largon përgjegjësin e tij për kthimin e flamurit të Republikës.

Kryetari i  Prishtinës, Shpend Ahmeti, që vije nga lëvizja Vetëvendosje edhe njëherë po tregon se sa i pafuqishëm është për të marrë vendime.

Ai po deklarohet publikisht se nuk është përgjegjës për kthimin e flamurit të Republikës së Kosovës në hyrje të Prishtinës-te Rrethi.

“ Ajo nuk ka qenë asnjëherë përgjegjësi e komunës së Prishtinës.  Nuk është e nënshkruar as me protokoll që flamurin atje duhet ta kemi kështu apo ashtu. Atëherë nuk e ka pas hequr komuna, atë e kenë bërë dhe qytetarët, edhe ata kanë marrë pjesë në vendosjen e flamurit kombëtar.  Kjo tregon se nuk është përgjegjësi e jona edhe kthimi i flamurit të Kosovës. Kjo mbetet edhe të diskutohet në ditët e ardhshme”, ka thënë Ahmeti në Klan Kosova.

Kurse, qytetarët e Kosovës përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook,  po bëjnë thirrje që kjo të ndodh në prag të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Nuk jemi kundër flamurit kuq e zi, i cili ka një simbolikë për gjithë kombin tonë, mirëpo për festen e 17 shkurtit – dhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës nga komuna e Prishtinës dhe kryetari i saj Shpend Ahmeti kërkojmë që të vendoset flamuri i pavarësisë, pra flamuri i Republikës së Kosovës”, thuhet në këtë nismë që është organizuar në Facebook.

Ndryshe, kur Shpend Ahmeti, pati marrë në udhëheqje Komunën e Prishtinës, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kishin vendosur flamurin kombëtar në atë vend.