Zotimi i Molliqajt për aktivistët e vrarë të VV-së

Aktuale February 10, 2018 - 17:52

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes Dardan Molliqaj, ka kujtuar dy aktivistët e kësaj partie Mon Balaj dhe Arben Xheladinin që kishin ndërruar jetë gjatë protestës së 10 shkurtit të vitit 2007.

Molliqaj ka thënë Qeveria e Kosovës dhe Grupi i Unitetit kishin dënuar demostruesit teksa i kishin përkrahur “policët vrasës të UNMIK-ut”, të cilët u kthyen në vendin e tyre për tu dekoruar për punën që kishin bërë në Kosovë.

Molliqaj ka thënë se institucionet e vendet kanë marrë një kërkesë para disa viteve për t’i shpallur Balajn dhe Xheladinin dëshmorë të kombit për që nuk është marrë parasysh deri më tani.

Po ashtu Molliqaj është zotuar se nuk do të ndalet së kërkuar drejtësi për Monin e Arbenin por edhe për Astrit Deharin i cili kishte vdekur gjatë kohës sa kishte qenë në paraburgim.

Postimi i plotë i Molliqajt:

Sot përkujtojmë Mon Balajn dhe Arben Xheladinin të cilët u vranë nga policia e UNMIK-ut më 10 shkurt 2007. Moni dhe Arbeni u qëlluan me plumba gome që kishin afat të skaduar.

UNMIK-u nuk mori përgjegjësi, përkundrazi deklaroi që forca e tyre ishte proporcionale.

Atëbotë, Qeveria e Kosovës dhe Grupi i Unitetit i përkrahën vrasjet e UNMIK-ut dhe i dënuan demonstruesit. Policët vrastarë të UNMIK-ut u kthyen në vendin e tyre dhe u dekoruan për punën e tyre ”të mirë” në Kosovë. Aktivistët e Lëvizjes përsekutoheshin nga pushteti.

Në vitin 2009, familjes Balaj dhe Xheladini iu ofrua dëmshpërblim në vlerë prej 200 mijë eurosh, me kusht që ata t’i tërheqin kërkesat e tyre për drejtësi. Natyrisht, familjarët i refuzuan, sepse ata duan drejtësi e jo dëmshpërblime.

Pas 8 vitesh, Paneli për të Drejtat e Njeriut pranë OKB-së deklaroi se demonstrata e 10 shkurtit ishte paqësore dhe se përgjegjësia për dhunën bie mbi policët UNMIK-ut.

11 vite pas kësaj demonstrate, asnjë qeveri e jona nuk ka kërkuar hetime të pavarura për rastin.

Poashtu, institucionet përkatëse kanë pranuar një kërkesë para disa vitesh për shpalljen e Arbenit dhe Monit si dëshmorë të kombit, por ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Sot, më shumë se kurrë, dëmet e Pakos së Ahtisaarit janë të prekshme dhe pengesë për Republikën e Kosovës. Situata e sotme është treguesi më i mirë për të gjithë se demonstrata e 10 shkurtit ishte e drejtë.

Moni e Arbeni e dhanë jetën për vendin tonë, e neve na mbetet që ta vazhdojmë rrugën e tyre dhe të mos ndalemi së kërkuari drejtësi për ta. Ashtu sikurse nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi edhe për Astrit Deharin.

Lavdi!

Image