Ambasadorja Çitaku tregon kush është amerikani që ka luajtur rol kyç për pavarësinë

Aktuale February 08, 2018 - 20:29
Ja kush është ai

Ambasadorja e Kosovës në Uashington Vlora Çitaku ka takuar në DC, Josh Black në kuadër të festimeve për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Përmes një shkrimi në Facebook, të cilit ajo i ka bashkëngjitur edhe një foto, ambasadorja ka përshkruar punën e Black për pavarësinë e Kosovës, duke e quajtur hero.

“Josh është hero i padëgjuar i pavarësisë sonë. Ai ka luajtur rol kyç dhe kur historia të shkruhet emri i tij do të jetë aty. Kosovarët do të mësojnë për të në librat e historisë”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Ndërkohë Black ka falënderuar ambasadoren Çitaku në gjuhën shqipe.

‘Faleminderit shumë, Madame Ambassador”, shkruan ai në statusin e Çitakut.

“Jam krenar të jem mik i juaji dhe i Kosovës. Kudo që jam, pavarësisht punës që kam, do të punoj në forcimin e lidhjeve në mes të dy vendeve tona të pavarura. 10 vjet më parë në bërë diçka të madhe”, shkruan ai.

Joshua Black ka kaluar shumë vjet duke punuar në Departamentin Amerikan të Shtetit në çështjet e ish-Jugosllavisë.

Nga viti 2005 deri më 2008, ai ishte koordinator i Departamentit të Shtetit në negociatat për statusin e ardhshëm të Kosovës dhe ishte i pranishëm kur u shpall pavarësia më 17 shkurt.

Më parë, Black ishte zyrtar në deskun për Kosovën në Departamentin amerikan të Shtetit  dhe  përgjegjës për operacionet e NATO’s në Ballkan. Shërbeu në dy mandate në zyrën e SHBA në Prishtinë, menjëherë pas pavarësisë së Kosovës.

Image