Konjufca e Ahmeti ende nuk po arrijnë t'i bashkojnë dy krahët e VV-së

Aktuale February 08, 2018 - 14:29

Dy të deleguarit e kreut të Vetëvendosjes për t’i pajtuar gjakrat në këtë parti po del të kenë dështuar. Krahu i djathë i Albin Kurtit, Glauk Konjuca dhe i pavendosuri i kësaj partie, Shpend Ahmeti, të ngarkuar me mision për të udhëhequr negociatat e pajtimit deri më tani nuk kanë nxjerr ndonjë rezultat.

E për partinë e re Socialdemokrate, që do të dalë nga VV duket se do të vendoset brenda këtij muaji. 

Kryetari i VV’së, Albin Kurti pas daljes nga burgu kishte tentuar dy herë që të pajtojë ish-kryetarin, të rreshtuar në grupin e të dorëhequrve për t’ia mbushur mendjen që të lënë anash inatet dhe të rikthehet në parti, por, Ymeri nuk kishte parë reflektim nga këto takime, duke i qëndruar kështu besnik Dardan Molliqajt.

Numri i të dorëhequrve shkonte duke u rritur dita – ditës, e duke mos parë rezultat nga bisedimet që i kryente vetë, Kurti kishte angazhuar dy persona, kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin dhe kryetarin e grupit parlamentar të VV’së, Glauk Konjucën.

Të dorëhequrit kanë bërë të ditur se janë takuar me të dy, për të diskutuar për mundësitë e kthimit, por këto bisedime nuk kishin rezultat. Kushtet dhe mundësitë e reja që i ofronte Kurti për t’u rikthyer në parti nuk i konvenuan të pakënaqurve, duke bërë kështu që të diskutojnë mundësinë e ndarjes së grupit parlamentar dhe krijimit të një partie të re.

Por, deri më sot një kërkesë e tillë ende nuk është dorëzuar.

Këtë e ka bërë të ditur për Gazetën Express, sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi. “Administrata nuk ka pranuar kërkesë nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha Krasniqi, duke shtuar se në momentin që do të marrin një kërkesë të tillë do ta publikojnë në web faqen e Kuvendit.

Zyrtarisht nuk është bërë kërkesë as për krijimin e partisë Socialdemokrate të udhëhequr nga Ymeri dhe Molliqaj.

Për Express nga KQZ kanë bërë të ditur se nuk kanë marrë ende asnjë kërkesë për regjistrim të ndonjë partie të re.

Krejt ky vonim si shkaktar po del të ketë Shpend Ahmetin. Ai ende zyrtarisht nuk ka deklaruar se në cilin kah është pozicionuar, por, duket që joshja me postin e kandidatit për kryeministër do ta rreshtojë në krahun e Molliqajt.

Molliqaj dje, edhe pse kishte kohë që i’u kishte ikur mediave kishte uruar Ahmetin përmes Facebook-ut, pas procedimit në Kuvend të vendim propozimit që Pallati i Rinisë të kthehet në ndërrmarrje publike komunale.

Në anën tjetër numri i të dorëhequrve po vazhdon të rritet. Dje dha dorëheqje edhe kryetari i qendrës së Vetëvendosjes në Lipjan, nga pozita e kryetarit të Qendrës, si dhe nga pozita e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm.

Ndarja e VV’së i shkakton asaj më së shumti dëme në Kuvend. Nga numri i përgjithshëm, 17 deputetë në Kuvendin e Kosovës i mbanë Kurti, e 15-të Visar Ymeri e Dardan Molliqaj.

Sa i përket komunave, Kurti mban vetëm Prizrenit, me kryetar Mytaher Haskukën, ndërsa, kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati dhe Ahmeti mbesin me të dorëhequrit.

Shqipe Pantina mbrëmë kishte deklaruar se pasi që nuk është arritur ndonjë pajtim është mirë që të bëhet ndarja e grupit parlamentar, sepse nuk është në rregull që kundërshtarët e Kurtit të qëndrojnë në Kuvend si deputet të VV-së.