Hahn 'çmend' serbët me këtë deklaratë për Kosovën

Aktuale February 08, 2018 - 09:40

Serbia duhet të arrijë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën nëse dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, e përsëriti mesazhin e bllokut gjatë vizitës në Beograd pasi Komisioni Evropian publikoi strategjinë e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ajo përcakton një afat deri në 2025 për anëtarësimin e Serbisë e Malit të Zi nëse përmbushin reformat dhe kushtet e domosdoshme. Pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, Hahn tha se Bashkimi Evropian nuk do të importojë konflikte të pazgjidhura mes vendeve të reja anëtare.

“Serbia duhet të përmbyllë dhe të zbatojë një marrëveshje detyruese ligjore me Kosovën para se të anëtarësohet”, ishte mesazhi i qartë i tij.

Ndërkaq, presidenti serb duke iu referuar kryesisht çështjes së Kosovës, por edhe asaj te kufijve me Bosnjë-Hercegovinën dhe Kroacinë, tha se para Serbisë ndodhet një mal me pengesë në negociatat me BE.

“Pengesat janë si Himalajet, por nuk do të ishim të parët që janë ngjitur në Malin Everest”, tha residenti serb.

Sipas tij detyrat më të rënda që dalin nga strategjia e Komisionit Evropian, janë për Serbinë. “Ka ardhur koha që te merren vendime, të paguhen çmimet e së kaluarës dhe të zgjidhen problemet e dekadave më parë”-vijoi më tej Vuçiq.

Ai tha se për çështje të tilla të rënda duhet të flasin qytetarët.