Konsensus të brendshëm për integrim në BE

Aktuale February 08, 2018 - 08:15

Strategjia për Zgjerimin e Vendeve të Ballkanit Perëndimor, e publikuar nga Komisioni Evropian para dy ditësh, nuk caktoi kurrfarë afati kohor se kur Kosova do të mundë të bëhet pjesë e BE-së, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Por, ndryshe u veprua me Serbinë e Malin e Zi, për të cilat si mundësi anëtarësimi u përmend viti 2025.

Me këtë rast ekspertët e proceseve integruese vlerësojnë se Kosova urgjentisht duhet të ndërtojë një konsensus të brendshëm për të gjetur një strategji të qartë drejt integrimit, shkruan tutje "Zëri".

Sipas tyre, për të përparuar në këtë drejtim duhet ndjekur disa hapa: të zbatohet në plotësi ligji, të zbatohet në tërësi MSA-ja, të kryhen obligimet ndërkombëtare, si dhe të përmbushen kriteret e tjera qoftë drejt zhvillimit ekonomik apo procesit të arsimit.

LEXO EDHE: Festë e zbehtë për Pavarësinë

Strategjinë e BE-së mbi Ballkanin Perëndimor nuk e kanë pritur aq mirë as përfaqësuesit e koalicionit qeverisës.

Ata e kanë konsideruar atë si favorizim ndaj Serbisë, ani pse kanë cilësuar pozitive përfshirjen e Kosovës në këtë Strategji.

Kurse, përfaqësuesit e opozitës kanë thënë se BE-ja duke e përdorur fusnotën e ka vendosur Kosovën të fundit.

Strategjia për Zgjerim, Thaçi fajëson BE-në

Strategjinë e Komisionit Evropian për Zgjerimin e Vendeve të Ballkanit Perëndimor presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka vlerësuar si një përpjekje të BE-së për ta rritur përkushtimin dhe për t’i nxitur reformat e shteteve të rajonit për anëtarësim në BE.

Por meqë Kosovës nuk i është caktuar një afat kohor për anëtarësim, sikurse është bërë me Serbinë e me Malin e Zi, i pari i shtetit ka fajësuar Bashkimin Evropian për një gjë të tillë.

“Kjo qasje jo e drejtë ndaj Kosovës është pasojë e mosnjohjes nga pesë shtete anëtare të BE-së, respektivisht e paaftësisë së BE-së për një qëndrim unik për Kosovën. Por, Kosova nuk do të zhytet në dëshpërim”, ka theksuar ai.

E pavarësisht që Kosovës nuk i është caktuar ndonjë afat kohor se kur do të mundë të jetë pjesë e BE-së ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, këtë raport e ka cilësuar si një njohje për Kosovën.

“Është pozitive që BE-ja kërkon nga Serbia dhe nga BE-ja ta arrijnë një marrëveshje të detyrueshme që e detyron Serbinë t’i japë fund politikës bllokuese ndaj Kosovës dhe që është shtet”, ka potencuar e para e Ministrisë së Integrimit, duke thënë se në këtë Strategji është favorizuar shteti i Serbisë.

Pajaziti: E rëndësishme që jemi pjesë e Strategjisë

Kurse Zenun Pajaziti, anëtar i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane (nga PDK), e ka vlerësuar faktin që edhe Kosova është pjesë e Strategjisë, pavarësisht rezultatit.

“Është me rëndësi që BE-ja i trajton të gjitha vendet, pra edhe ne konsiderohemi si një prej shteteve pavarësisht hendikepit që 5 vendet nuk na kanë njohur. Është me rëndësi që tash trajtohemi në agjendë. Nuk është më e pritura si do të dëshironim të ishim me afate kohore, por ajo që është me rëndësi është se jemi të radhitur”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

E ajo çka i mbetet të bëjë Kosovës tash e tutje, sipas Pajazitit, është që të punojë drejt përmbushjes së kritereve, duke përfshirë këtu ato në raport me Serbinë.

Pacolli: BE-ja ka vendosur Kosovën të fundit duke përdorur fusnotën

Fitore Pacolli, anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane, ka thënë se Strategjia e BE-së jo që nuk tregon një afat kohor se kur Kosova do të mundë të anëtarësohet, por nuk tregon as ndonjë sinjal rreth kësaj.

“Strategjia ndan shtetet e rajonit në 4 kategori dhe Kosova është në kategorinë e katërt dhe të fundit. BE-ja ka vendosur Kosovën duke përdorur fusnotën që vazhdon ta trajtojë me ambiguitet shpalljen e pavarësisë sonë. Sa i takon Kosovës Strategjia e Komisionit jo vetëm që nuk jep orientim për datë anëtarësimi, apo për të qenë vend kandidat për anëtarësim, por nuk jep as edhe një sinjal”, ka deklaruar ajo.

E për ta ndryshuar këtë gjendje, sipas Pacollit, duhet që të ideohet një politikë e brendshme e rajonale për t’i realizuar qëllimet.

Prenkaj: Urgjentisht të ndërtohet një konsensus i brendshëm

Në anën tjetër Adrian Prenkaj, ish-diplomat i Kosovës në Washington, ka vlerësuar se Republika e Kosovës duhet që sa më parë të arrijë një konsensus të brendshëm për të ecur tutje drejt integrimit në BE.

“Viti 2018 dhe Strategjia e re e BE-së për Rajonin është një mundësi e mirë për vendet e Ballkanit që duhet ta shfrytëzojnë. Kosova ka nevojë urgjentisht ta ndërtojë një konsensus të brendshëm për shumë çështje, duke përfshirë edhe çështjen e dialogut dhe një strategji të qartë për integrim që do të na ndihmojë të rikthejmë momentumin në procesin e integrimit”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

E ndonëse sipas tij Strategjia identifikon shumë mirë sfidat me të cilat përballet rajoni në këtë rrugëtim ajo ofron shumë pak zgjidhje.

Por pavarësisht kësaj, Prenkaj e ka cilësuar si një lajm pozitiv Strategjinë për Zgjerim, meqë një gjë e tillë tregon rikthimin e vëmendjes së BE-së drejt Ballkanit Perëndimor.

Murati: Strategjia e BE-së s’ka qenë befasuese

Duke folur rreth kësaj Artan Murati, hulumtues i lartë në KDI, ka thënë se përmbajtja e saj lidhur me Kosovën nuk ka qenë befasuese, megjithatë Kosova ka mundur të bëjë shumë më shumë drejt këtij rrugëtimi.

Porse, sipas tij, një problem shumë i madh në këtë drejtim paraqet fakti që 5 vende anëtare të BE-së nuk e njohin Kosovën, andaj duhen ndjekur disa hapa që të përparohet në këtë rrugëtim.

“Hapat janë shumë të njohur dhe të qartë. Së pari, fraza ‘Askush mbi ligjin’ duhet të gjejë zbatim në Kosovë, sepse ligji te ne zbatohet shpeshherë prej atyre që nuk kanë fuqi të madhe politike. Kjo është një nismë e parë që duhet të zhvillohet tutje si proces, pastaj serioziteti se si i qasemi procesit integrues, duke përfshirë këtu edhe obligimet që i marrim”, ka nënvizuar ai.  

Merja: Qeveria të angazhohet me të gjitha forcat për implementimin e MSA-së

Albana Merja, njohëse e proceseve të integrimit, ka thënë se kjo Strategji rihap një mundësi historike për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor për rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

Sipas Merjës, nuk është momenti që të thuhet se Kosova nuk mori asgjë nga kjo Strategji, por të analizohen mangësitë e institucioneve në përmbushjen e obligimeve që rrjedhin nga MSA-ja apo nga ERA.

“Qeveria duhet të angazhohet me të gjitha forcat dhe mundësitë për të pasur një implementim të madh të MSA-së, pasi momentalisht është e vetmja mundësi që Kosova ka për t’iu afruar integrimit në BE. Një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar edhe lobimit me vendet ‘mike’ të Kosovës në mënyrë që të marrim një përkrahje më të madhe nga ana e tyre”, ka theksuar ajo.