Festë e zbehtë për Pavarësinë

Aktuale February 08, 2018 - 08:02

Kryeministrat dhe presidentët e shteteve të Bashkimit Evropian dhe të vendeve tjera mike të Kosovës nuk pritet të vijnë në festimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Shtetit më të ri në Evropë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Derisa vetëm 10 ditë na ndajnë nga jubileu i shtetësisë së Kosovës, institucionet e vendit deri më tani nuk kanë bërë të ditur nëse ndonjë prej liderëve të shteteve të fuqishme apo figurave të rëndësishme ndërkombëtare e ka konfirmuar pjesëmarrjen në festën e 17 Shkurtit.

Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se probabiliteti për pjesëmarrjen e delegacioneve nga shtetet e fuqishme është shumë i vogël.

Sipas tyre, kjo po ndodh pasi krerët e shtetit momentalisht janë të refuzuar nëpër botë për shkak të mospunës dhe për shkak të acarimeve të marrëdhënieve të krijuara nga situatat e fundit në vend.

LEXO EDHE: Debakli në Bruksel

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, ka thënë për Zërin se në 10-vjetorin e Pavarësisë nuk pret pjesëmarrje të madhe të delegacioneve të huaja, kjo pasi në prag të 10-vjetorit të Pavarësisë Kosova vazhdon të jetë një shtet me probleme serioze të shtetësisë.

Ai tha se procesi i shtetndërtimit si sprovë e kapaciteteve të brendshme është sfiduar nga dështimet e vazhdueshme të klasës politike, pra edhe të pushtetit edhe të opozitës.

“Nuk pres ndonjë pjesëmarrje të fuqishme ndërkombëtare, por as braktisje të plotë. Në një shtet ku logoja zyrtare e përvjetorit rezulton plagjiat apo kopje dhe ku viza e kryeministrit është lajm s’mund të pritet një festë me emocionin, me entuziazmin dhe me shpresën që do të duhej ta kishim të gjithë”, ka deklaruar Fetoshi.

Ai ka thënë se mospuna e klasës politike në vend ka bërë që Kosova të jetë e izoluar dhe krerët e saj të jenë të refuzuar nëpër botë.

“Saga e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi për gati tre vjet dhe tentimi për zhbërjen e Gjykatës Speciale që dështoi me tërheqje janë treguesit më të qartë të paaftësisë, të papërgjegjshmërisë dhe të meskinitetit të kësaj politike. Për pasojë Kosova ka mbetur e izoluar, krerët e saj janë pothuaj tërësisht të refuzuar në botë”, ka përfunduar Fetoshi.

Edhe Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, nuk pret që të ketë pjesëmarrje të personaliteteve të huaja pikërisht për shkak të tentimit të zhbërjes së Gjykatës Speciale dhe të ngecjes me demarkacionin.

“Duke marrë parasysh ngjarjet e fundit që kanë ndodhur gjasat janë që të ketë shumë pak delegacione në festimin e 10-vjetorit të Pavarësisë pikërisht për shkak të acarimeve të marrëdhënieve që kanë ndodhur rreth këtyre çështjeve të fundit”, ka thënë ai.

Ndërkohë Presidenca dhe Ministria e Punëve të Jashtme deri më tani kanë refuzuar t’i bëjnë publike emrat e personaliteteve të ftuar.

Demhasaj thotë se “Arsyeja se pse nuk publikohen listat e të ftuarve nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe nga Presidenca është pikërisht kjo që ka një tendencë se shumica e ftesave do të refuzohen dhe në mënyrë që publiku të mos kuptojë se ato po refuzohen dhe nuk po publikohen fare”.

Demhasaj konsideron që festa në këtë dhjetëvjetor ka më shumë gjasa të jetë “e zymtë” sesa një festë madhështore, pasi gjasat janë që të mos ketë vizita të delegacioneve nga shtetet mike të Kosovës e edhe të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.

Sipas tij, festë e zymtë do të jetë edhe për faktin që 10 vjet pas pavarësisë qytetarët e Kosovës nuk e dinë se çfarë të festojnë.