Apostolova: Jemi zhgënjyer me rritjen e pagave

Aktuale February 07, 2018 - 22:32

Shefja e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thwnw se, është në duar të Qeverisë fitimi i 75 milionë eurove.

Rritjen e pagave për kryeministrin dhe zyrtarët e tjerë qeveritar, e ka komentuar edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Ajo në një intervistë për RTV21 tha se është zhgënjyer me këtë vendim, pasi është marr pa u menduar pakoja e BE-së e cila do t’i dhurojë Kosovës diku rreth 75 milionë euro.

Apostolova tha se përmes reformave në Administratën Publike dhe implementimin e tyre, kjo shumë e parave do të mund të fitohet nga Kosova.

“Në mënyrë që ta bëjmë këtë ne ofrojmë disa kushte dhe disa reforma që duhet të implementohen në mënyrë që të dhurohen këto para. Dëshirojmë edhe rritjen e pagave, për atë arsye jemi shumë të zhgënjyer kur kemi parë këtë rritje të pagës e cila u bë me vendim pa e menduar këtë paket të përgjithshme. Kjo është një nga fushat ku ne me të vërtetë do t’ju ndihmojmë, por për të ju ndihmuar ju duhet të na lejoni që t’ju ndihmojmë. Pra nëse ne rekomandojmë diçka si ndryshime atëherë duhet t’i implementoni”, tha Apostolova.

LEXO EDHE: Apostolova: Ju siguroj se shtetet e reja të BE-së nuk do t’ju bllokojnë

Ajo e pranoi se nëse nuk plotësohen kushtet e caktuara, atëherë rrezikohet që paratë të mos merren, apo të mos merret shuma totale.

“Është në duar të Qeverisë, elitës së politikanëve dhe Kuvendit. Unë kam takime të rregullta me kryeministrin, me kryetarin e Kuvendit dhe me ministra thjeshtë për ta ngritur këtë alarm dhe t’i tregoj se nuk duhet ta lejojë që ata ta humbin këtë para”, shtoi ajo.

Apostolova u bëri thirrje politikanëve dhe të gjithë atyre që janë përgjegjës për këto reforma që t’i marrin seriozisht këto çështje, pasi siç tha ajo nëse këto para nuk merren janë qytetarët e Kosovës ata që do të vuajnë.