Thaçi nga Amerika e cilëson 'të dështuar' strategjinë e BE-së për Kosovën

Aktuale February 07, 2018 - 10:44

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka komentuar strategjinë e re të Bashkimit Evropian për integrimin e Ballkanit Perëndimor, që është publikuar një ditë më parë.

“Komisioni Evropian publikoi dje strategjinë e re për perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Këtë strategji e vlerësoj si një përpjekje të BE-së për të rritur përkushtimin dhe nxitur reformat e shteteve të rajonit për anëtarësim në BE”, ka shkruar presidenti Thaçi në një postim në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

Thaçi ka shkruar se e mirëpret hartimin e këtij dokumenti strategjik, i cili e trajton Kosovën si pjesë integrale të planeve për zgjerim të Bashkimit Evropian.

“Megjithatë, për arsye të njohura politike, fatkeqësisht, ky dokument nuk ka arritur të paraqes një perspektivë të anëtarësimit gjithëpërfshirës dhe të barabartë për të gjitha vendet e rajonit. Në veçanti, kjo strategji ka dështuar të ofrojë qartësi për anëtarësimin e Kosovës në BE”, ka shkruar ai.

Sipas Thaçit, kjo qasje jo e drejtë ndaj Kosovës është pasojë e mosnjohjes nga pesë shtete anëtare të BE-së, respektivisht e paaftësisë së BE-së për një qëndrim unik për Kosovën.

“Por, Kosova nuk do të zhytet në dëshpërim”, ka shkruar presidenti i vendit.

Thaçi ka deklaruar se ne duhet ta shfrytëzojmë potencialin e plotë të kësaj strategjie për të avancuar pozicionin tonë në rrugën drejt anëtarësimit, për zbatimin e reformave të nevojshme evropiane dhe për të përmbyllur procesin e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Sipas tij, Kosova urgjentisht duhet të tejkalojë gjendjen e izolimit, duke ratifikuar marrëveshjen për vijën kufitare me Malin e Zi, e cila sjell edhe heqjen e vizave për qytetarët tanë nga BE-ja.

“Pastaj, na mbetet që të punojmë çdo ditë me përkushtim për të mënjanuar çdo barrierë politike, në mënyrë që të realizojmë aspiratën tonë për integrime euroatlantike. HTH”, përfundon deklarata e presidentit.