Bojkotohet Bekim Jashari, s’ka kuorum për vazhdim të seancës

Aktuale February 07, 2018 - 08:26

Ka dështuar vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit të Skenderajt i datës 30 janar, i cili ishte ndërprerë në mungesë të kuorumit në momentin kur do të duhej të votohej propozim-vendimi i kryetarit të Skenderajt, Bekim Jashari, për shpallje në interes publik të 36 hektarëve tokë në fshatin Marinë, të cilët aktualisht menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për ndërtimin e Parkut të Biznesit, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

11 këshilltarë të PDK-së, 3 të AKR-së, 2 të “Vetëvendosjes” dhe 2 të IQ “41000” kanë bojkotuar vazhdimin e mbledhjes.

LEXO EDHE: Serbia s’do të mundë ta bllokojë Kosovën në BE

Kryesuesja e Kuvendit të Skenderajt, Fatbardha Haliti dhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, kanë pritur gati një orë që të bëhet kuorumi për ta vazhduar mbledhjen, por më kot pasi atyre që kanë bojkotuar mbledhjen e Kuvendit më 30 janar u janë bashkuar edhe tre këshilltarët e AKR-së. Në këtë mënyrë, Fatbardha Haliti ka njoftuar se seanca ka dështuar të mbahet në mungesë të kuorumit. 

Jashari fajëson Lushtakun

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, dukshëm i pezmatuar me situatën në të cilën është gjendur, ka fajësuar për bllokim të Kuvendit ish-kryetarin e Skenderajt Sami Lushtakun dhe siç ka thënë ai, “grupin e tij, në të cilin bën pjesë edhe daja i babait të tij”.

Ai madje ka potencuar me emër e me mbiemër ata që janë duke e bojkotuar që nga fillimi, duke veçuar, përveç Sami Lushtakut, edhe Jetullah Gecin, siç tha ai, “dajën e babait të tij”, pastaj Ismet Salihun, “i cili që nga paslufta është kryesues i Kuvendit”, Besarta Mehën, “kushërirë e Tahir Mehës”, Rasim Shalën dhe të gjithë të tjerët të PDK-së (11), si dhe Hysni Mehanin e Vlora Ramadanin e “Vetëvendosjes”, për të cilët tha “se nuk kanë lënë gjë pa thënë për pushtetin e kaluar, ndërsa tani janë radhitur përkrah tyre”, po ashtu edhe për Malsor Bejtën e Edona Rushitin të IQ “41000”.

Ai tha se nuk do të durojë më dhe se do të veprojë sipas ligjit. “Unë mjaft kam duruar deri më sot, ka ardhur fundi që me çdo kusht me e blloku Bekim Jasharin. Nuk janë duke lënë asnjë formë të mundshme pa e shfrytëzuar për interesa të ngushta të tyre. Qytetarë të nderuar, ju bëj apel që t’u thoni atyre që po bllokojnë se vota juaj ka fuqi. Kundërshtarët politikë po mundohen që ta bllokojnë besimin tuaj. Unë do ta shfrytëzoj të drejtën me ligj, nuk do të mundë të më bllokojnë. Në qeverisjen e kaluar janë krijuar shumë parregullsi, duke filluar me pronat e uzurpuara e deri te keqpërdorimi i veturave zyrtare. Të gjithë do të përballen me drejtësinë”, ka thënë Jashari në një konferencë me medie. Ai u ka rekomanduar atyre që, siç tha ai, “bllokojnë për interesa të ngushta, të vetëdijesohen”. “Kush ka interesa të ngushta në këtë vend, vetëdijesohuni dhe kuptoni se  drejtësia do të merret me të gjitha pronat që janë uzurpuar. Po ua jap një rast, veturën zyrtare të kryetarit të Komunës, Sami Lushtaku, deri më 11 dhjetor e kam marrë me dy goma të dimrit dhe të verës, kur e kemi shikuar, para një muaji i janë vendosur katër gomat, por kanë rënë deri në atë nivel që kanë shkuar edhe gomat për t’i marrë”, ka thënë Bekim Jashari.

 

Jashari: Lushtaku kishte sabotuar edhe babanë dhe xhaxhain

Kryetari i Skenderajt më tutje tha se Sami Lushtaku është duke e sabotuar atë, “sikurse që e kishte sabotuar babanë dhe xhaxhain e tij” dhe se për këtë nuk befasohet fare. “Se mua tenton të më sabotojë Sami Lushtaku nuk më befason aspak, sepse Sami Lushtaku edhe babanë tim dhe mixhën tim i ka sabotuar duke ikur në vitin 1998 në Gjermani dhe është po ai i njëjti Sami”, ka thënë ai.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, tha se ka në dorë një marrëveshje me disa kompani të huaja për të investuar në Parkun e Biznesit në Marinë, por mungesa e vendimit të Kuvendit që hapësira të shpallet zonë në interes të përgjithshëm do ta shtyjë procesin edhe për një kohë.

“Ata (pushteti i mëparshëm) nuk kanë qenë në gjendje ta krijojnë një zonë ekonomike të përshtatshme, e kanë krijuar një zonë ekonomike prej 6 hektarësh dhe atë në Runik. Tani dalin dhe më bllokojnë në kohen kur i kemi gjetur kompanitë që do të investojnë. Ata me një fjalë po e pengojnë dhe po e bllokojnë zhvillimin ekonomik të komunës”, tha kryetari i Skenderajt, i cili menjëherë pas konferencës me gazetarë ka udhëtuar jashtë vendit.

Zëri” ka pyetur kryetarin Jashari “nëse ka biseduar me ndonjërin nga ata që e bojkotojnë”, ndërsa është përgjigjur se ka biseduar me disa prej tyre, por nuk ka arritur t’i bindë të mos e bllokojnë. “Kam folur me disa prej tyre, por pa sukses, ata kanë qëllimin të më bllokojnë me çdo kusht”, është përgjigjur ai.

Ndërsa në pyetjen tjetër se a parashikon shpalljen e zgjedhjeve të reja për Kuvend nëse vazhdohet me bllokadë, pas që një gjë e tillë parashihet me ligj, Jashari u përgjigj: “Gjithsesi është edhe ai variant, nëse vazhdohet me bllokadë gjithçka do të bëhet me ligj”. Ndërkaq asamblisti i “Vetëvendosjes” në Kuvendin e Skenderajt, Hysni Mehani, në konstatimin se duke mos marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit ka dalë në anën e grupit të Sami Lushtakut, tha se ai nuk është në anën e askujt, por që lidhur me zonën ekonomike që propozohet ka shumë paqartësi. “Nuk jemi në anën e askujt, ka shumë paqartësi në këtë propozim-vendim të kryetarit, është dashur të na sqarohej më mirë”, ka thënë ai.

Ndryshe siç duket qëndron puna me AKR-në e Skenderajt, pasi ata deri më tani e kanë përkrahur kryetarin Jashari në të gjitha vendimet që ka marrë, si dhe kanë përkrahur edhe zgjedhjen e Fatbardha Halitit kryesuese të Kuvendit.

Nga ajo çfarë ka mundur të kuptohet nga fjalët e kryetarit të Degës së AKR-së në Skenderaj, Musa Dërvishaj, AKR-ja kërkon marrëveshje politike me Bekim Jasharin dhe për t’ia bërë votat kërkon hise në ekzekutiv.  “Nëse u duhen votat tona, atëherë duhet të ulemi dhe të bisedojmë.

Ne kemi për bazë në rend të parë interesin e qytetarëve, por e kemi edhe interesin e partisë. Fuqia e secilit subjekt politik tregohet me votë, ne i kemi 3 asamblistë në Kuvend dhe kemi fuqi politike.

Kështu që nëse dëshironi mund të bëjmë marrëveshje, me të cilën përcaktohen kushtet”, ka deklaruar Musa Dërvishaj, duke pretenduar qartë që AKR-ja në Skenderaj të jetë pjesë e ekzekutivit të Komunës.

Lushtaku: Ke qenë i vogël në luftë, merru me punët e Komunës

Pasi Bekim Jashari e akuzoi Sami Lushtakun se gjatë viteve të ’90-ta i kishte lënë vetëm Adem dhe Hamëz Jasharin dhe kishte ikur në Gjermani, Lushtaku për “Express” ka thënë se Bekimi nuk e di çka ka ndodhur në atë kohë, prandaj preferon të merret me pozitën që aktualisht mban. “Bekimi ka qenë i vogël atëherë. 

Unë e respektoj familjen Jashari, e respektoj kryetarin aktual, kështu që i uroj punë të mbarë në Komunë dhe i them të mos merret me vitet e ’90-ta”, ka thënë Lushtaku.

Ish-kryetari i Skenderajt foli edhe për bllokadën në Kuvendin Komunal që Jashari po e përmend. Lushtaku tha se ai nuk ka asnjë përgjegjësi në Komunë prejse nuk është më kryetar dhe se asamblistët veprojnë krejt të pavarur. “Nuk jam kryetar i Komunës. Jam kryetar veç i degës së partisë dhe asamblistët veprojnë të pavarur. Unë nuk bllokoj dhe nuk jam i prirë të bllokoj”, ka thënë Lushtaku

LVV-ja i përgjigjet Jasharit

Lëvizja “Vetëvendosje” në Skenderaj i është përgjigjur akuzave të kryetarit të Skenderajt Bekim Jasharit, i cili në një konferencë me gazetarë pas dështimit të vazhdimit të mbledhjes së AK-së të 30 janarit ka akuzuar “Vetëvendosjen” se është bërë pjesë e PDK-së së Sami Lushtakut. Lëvizja “Vetëvendosje” në Skenderaj nëpërmes një komunikate ka vlerësuar se ka tepër shumë shkelje në projektin e Parkut të Biznesit, ndërsa ka konstatuar “se nëse për asgjë tjetër, atëherë për faktin se sot u zbulua një e vërtetë e madhe ia vlejti mospjesëmarrja jonë në seancë, sepse pas 18 vjetësh Bekimi deklaroi se “mua nuk më befason sabotimi i Sami Lushtakut, sepse ai e kishte sabotuar edhe babanë dhe axhën tim në luftë”.

“Neve, përfaqësuesve të lëvizjes ‘Vetëvendosje’ në Skenderaj, Jashari na ka ftuar në takim vetëm një herë. Ne ishim pro takimit, por kryetari insistonte që takimi të mbahej në një ambient për ne të papërshtatshëm, si pasojë nuk ndodhi as takimi.

Arsyeja e mospjesëmarrjes sonë sot në seancë lidhet me faktin se në seancën e kaluar na u ofrua në rend të ditës si informatë çështja e parkut të biznesit. Papritmas kjo çështje u shndërrua në ‘propozim – vendim’.

Këtë gjë ne e kishim kundërshtuar me anë të një shkrese drejtuar kryesueses më datën 29.01.2018, ku kërkonim që kjo pikë e rendit të ditës të mbetej në një seancë tjetër.

Seanca u ndërpre më 30.01.2018 në mungesë kuorumi dhe sot pa ndryshuar asgjë substanciale dhe pa na u ofruar asnjë informacion shtesë u tentua të vazhdohet seanca e ndërprerë.

Ne nuk e dimë pse tërë kjo ngutje, nuk e dimë pse gjithë ky sulm, kur kjo çështje do të mundë të kalohej në seancën e radhës, normalisht duke na dhënë informacionet shtesë që ne kërkojmë dhe që kemi të drejtë t’i dimë e t’i shqyrtojmë, njëjtë edhe qytetarët e Skenderaj dhe opinioni publik në tërësi”, thuhet në komunikatën e lëvizjes “Vetëvendosje” në Skenderaj.

LVV-ja në Skenderaj siguron Bekim Jasharit që është pro progresit dhe zhvillimit në komunën, por po ashtu nuk lëviz nga qëndrimet e veta.

“Për t’i përkrahur planet zhvillimore duhet platformë qeverisëse, takime dhe konsultime, gjë që kryetari nuk mori mundin ta bëjë asnjëherë. Kryetari na quajti pjesë e PDK-së.

Kjo nuk është as e vërtetë apo edhe e padrejtë. Kryetari Jashari i ka të qarta arsyet pse ne nuk do të merrnim pjesë në seancë.

Ne kemi të dhëna që po bëhen tepër shumë shkelje në lidhje me projektin e këtij Parku të Biznesit. Ne nuk duam që edhe kjo të ndodhë në Komunën tonë edhe ashtu të degraduar gati në çdo sektor nga qeverisja komunale. Ne nuk duam të përsëriten uzurpimet e nëpërkëmbjet e qytetarëve tanë të varfër.

Ndaj ne kërkojmë pa kushte sqarime, transparencë e mbi të gjitha qeverisje të drejtë nga ju e konkretisht sqarime të hollësishme mbi këtë projekt tashmë të dyshimtë”, ka thënë lëvizja “Vetëvendosje” në Skenderaj nëpërmes një komunikate dërguar medieve.