Hoxhaj flet për Strategjinë e Zgjerimit: Ekziston qasje favorizuese ndaj Serbisë

Aktuale February 06, 2018 - 21:25

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj në një debat në RTK ka folur në lidhje me strategjinë e zgjerimit të BE-së, për vitin 2018-2025, të cilën e ka vlerësuar si ngjarje të rëndësishme jo vetëm për rajonin, por edhe për vetë Bashkimin Evropian.

Hoxhaj tha se strategjia ofron perspektivë për të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, mirëpo ka thënë se ekziston një qasje e pa balancuar karshi shteteve të caktuara.

Hoxhaj foli për politikë favorizuese të BE-së kundrejt Serbisë, ku tha se BE po e përdor dialogun për ta mbajtur Serbinë të drejtuar kah Bashkimi Evropian dhe larg Rusisë. Në anën tjetër, ka thënë se Kosova nuk po shpërblehet sa duhet nga ky dialog.

Hoxhaj ka folur për marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, ku ka thënë se Qeveria duhet ta gjejë një gjuhë të përbashkët, duke theksuar se është shumë e rëndësishme që kjo marrëveshje të ratifikohet sa më shpejtë në mënyrë që qytetarët të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Sa i përket raporteve kontraktuale me BE-në, Hoxhaj tha se është jetik përshpejtimi i zbatimit të MSA-së dhe agjendës së reformave evropiane në mënyrë që Kosova ta zë hapin me vendet e tjera që kanë nisur procesin e integrimit shumë më herët, dhe të bëhet kandidat potencial për anëtarësim.