Haradinaj: Gjykata Speciale nuk do të mund të shfuqizohej

Aktuale February 06, 2018 - 17:39

Kryeministri i Kosovës , Ramush Haradinaj, në një intervistë për gazetën gjermane, “Basler Zeitung” ka folur për një varg çështjesh të rëndësishme për Kosovën që nga shpallja e Pavarësisë më 17 shkur të vitit 2018.

Haradinaj, duke folur për përmbushjen e pritshmërive të tijë gjatë 10 vjetëve pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, deklaroi:

“Lindja e një shteti nuk është një proces i lehtë. Kosova ka marrë shumë mësime. Natyrisht që ne duhet të përmirsojmë qeverisjen tonë, sundimin e ligjit dhe ekonominë. Jemi ku jemi tani, por nuk do të heqim dorë, duhet të përballemi me problemet, sepse ky është shteti jonë, ne nuk kemi vend tjetër për të jetuar”, tha ai.

Haradinaj në këtë intervistë foli edhe për zhgënimin e qytetarëve të Kosovës lidhur me gjendjen aktuale të krijuar në vend, ku tha se në Kosovë ka shumë gjëra për të cilat nuk mund të jesh i kënaqur, dhe se Qeveria e Kosovës duhet të fitojë  besimin e qytetarëve të saj.

“Ka shumë gjëra në Kosovë për të cilat nuk mund të jeshë i kënaqur. Kosova është ende një punë e papërfunduar. Institucionet qeveritare së pari duhet të fitojnë besimin e qytetarëve të saj në luftën kundër korrupsionit. Ne duhet të sjellim më shumë investitorë në Kosovë që të kemi potencial më të madh ekonomik” theksoi Haradinaj.

I pari i Qeverisë së Kosovës përmendi edhe disa nga sukseset e Kosovës gjatë këtyre 10 vjetëve, duke vënë në dukje njohjen ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës dhe forcimin e financave të shtetit, mirëpo sipas tij fakti që Kosova nuk është njohur ende nga pesë shtete të Evropës dhe gjithashtu mos arritja e një zgjidhje përfundimtare me Serbinë, sipas tij nuk po e lehtëson jetën e qytetarëve të Kosovës, dhe gjendjen në Kosovë në përgjithësi, transemton lajmi.net.

Haradinaj, në këtë intervistë u deklarua edhe për iniciativën e zhbërjes së Gjykatës Speciale, duke e cilësuar këtë iniciativë si një shprehje e demokracisë së Kuvendit, dhe duke cituar faktin që AAK ka qenë kundër kësaj Gjykate qysh në vitin 2014 , pasi që e cilësonte këtë Gjykatë si të dëmshme për Kosovën.

“Iniciativa për zhbërjen e Gjykatës Speciale ishte shprehje e lirë e demokracisë së Kuvendit të Kosovës, por kjo iniciativë ishte e pasuksesshme, pra nuk ka ndonjë epilog për këtë proces, por gjithashtu kritika për këtë Gjykatë kanë dhënë edhe plot avokatë”, shtoi ai.

“AAK-ja ka votuar kundër Gjykatës Speciale qysh në vitin 2014, pasi që ata e konsideruan këtë Gjykatë si dicka të dëmshme për Kosovën, dhe e destinuar direkt për Kosovarët, në parim AAK-ja ishte kundër funksionalizimit të Gjykatës Speciale në vend. Pozita ime si Kryeministër është që unë duhet t’u bindem vendimeve të Kuvendit”, shtoi Haradinaj.

Haradinaj shtoi se iniciativa për zhbërjen e kësaj Gjykate edhe ashtu do të dështonte, sepse për këtë process duhet dy e treta e dyfishtë dhe ndryshime kushtetuese, dhe kjo është e pamundur.

“Nuk do të ndryshojë asgjë, iniciativa edhe ashtu nuk do të mund ta ndalte Gjykatën Speciale, sepse për këtë punë duhet dy e treta e deputetëve, dhe kjo është e pamundur, ekziston gjykata, dhe ekzistojnë kritikat, por kjo është normale”, shtoi Haradinaj.

Duke u pyetur për faktin se refuzimi i Vizës nga SHBA-të dhe Britania mund të nënkuptojë ftohje dhe distancim të raporteve me këto dy vende, Haradinaj deklaroi:

“Nuk  mund të ndikoj në vendimet e Qeverive tjera, por gjithsesi që nuk e kam atë përshtypje, madje tani kam pranuar vizën për vizitën në Londër”, tha kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.