Mjegulla vonon fluturimin e kryeministrit malazez, Dushko Markoviq

Aktuale February 06, 2018 - 08:52

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, po pritet të arrijë në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë.

Ai është paraparë të arrijë në orën 08:00, mirëpo fluturimi është vonuar.

Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, ka konfirmuar për “Zeri.info”, se për shkak të mjegullës është vonuar edhe ardhja e kryeministrit malazez, Dushko Markoviq.

“Për shkak të mjegullës në Aeroportin e Prishtinës, po vonohet edhe ardhja e kryeministrit malazez. Ne jemi në pritje të tij dhe jemi në koordinim me palën malazeze gjatë gjithë kohës”, ka deklaruar Gashi për “Zeri.info”.

LEXO EDHE: Markoviq takon Haradinajn dhe Veselin, jo edhe Thaçin

Në terminalin “VIP”, gjenden forca të shtuara të sigurisë si dhe njësitë K9 me qenë nuhatës po i kontrollojnë të gjitha mjetet e eskortës që pritet ta shoqërojnë kryeministrin malazez.

Markoviq, i cili do te qëndrojë për vizitë zyrtare gjatë ditës në Kosovë, në aeroport do të pritet nga Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Image