Markoviq takon Haradinajn dhe Veselin, jo edhe Thaçin

Aktuale February 06, 2018 - 07:59
Ja cila është tema kryesore e vizitës së Markoviqit në Kosovë

Kryeministri malazez, Dushko Markoviq, sot do ta vizitojë Kosovën me ftesë zyrtare të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt.

Markoviq, sipas agjendës qeveritare, do të arrijë në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” në orën 08:00, të cilin do ta presë ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Takimin e parë zyrtar Markoviq do ta zhvillojë me homologun e tij kosovar, ku pritet të diskutojnë rreth zgjidhjes së çështjes së demarkacionit mes dy vendeve, marrëveshje e cila për më shumë se dy vjet nuk po arrin të miratohet në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë Markoviq do ta takojë edhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.

LEXO EDHE: “Dueli” për Demarkacionin

Kryeministri i Malit të Zi gjatë vizitës së tij në Kosovë nuk do ta takojë presidentin Hashim Thaçi, pasi ky do të udhëtojë për në SHBA, ku do të marrë pjesë në “Lutjet e Mëngjesit”.

Demarkacioni, tema kryesore

Donjeta Gashi, drejtoreshë e zyrës për informim në Qeveri, ka deklaruar për “Zërin” se në takimin e sotëm me kryeministrin malazez Dushko Markoviq do të bisedohet për çështjen e demarkacionit, si dhe për marrëdhëniet bilaterale të Kosovës e të Malit të Zi.

“Temat që do të diskutohen janë ato të cilat janë përmendur edhe më parë, marrëdhëniet mes të dyja vendeve, bashkëpunimet reciproke, por edhe demarkacioni”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë dhënë gazetës “Zëri”.  

Kurse këshilltari i kryeparlamentarit Kadri Veseli, Valmir Klaiqi, ka pohuar për gazetën “Zëri” se kreu i Kuvendit Kadri Veseli do ta presë në takim kryeministrin malazez, mirëpo nuk ka treguar se për çfarë do të bisedojnë të dyja palët.

Ndërkohë ishte njoftuar që kryeministri malazez do të zhvillojë takim edhe me presidentin e vendit Hashim Thaçi, mirëpo nga zyra për informim e këtij të fundit kanë njoftuar se i pari i shtetit nesër do të udhëtojë për në SHBA, ku do të marrë pjesë në “Lutjet e Mëngjesit”.

“Kryeministrat mund të dakordohen për demarkacionin”

Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve politike, duke folur për “Zërin” tha se malazezët i kanë “mbyllur dyert” për çështjen e demarkacionit para se të vinin për vizitë në Kosovë.

Mirëpo, sipas tij, Mali i Zi do të duhej të mos mbante qëndrim të ngurtë për këtë çështje, pasi kjo marrëveshje do të njihet vetëm atëherë kur do të pajtohen të dyja palët.

Kurse Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, beson që në takimin e sotëm të dyja qeveritë do të dakordohen për çështjen e demarkacionit.

“Ajo që do të diskutohet do të jetë çështja e demarkacionit dhe pikërisht në këtë takim ka tendenca që bashkërisht t’i japin një zgjidhje çështjes së demarkacionit. Kështu që në kuadër të kësaj çështja kyçe do të jetë demarkacioni, prandaj edhe mund të ketë shpresa”, ka thënë ai.

Sipas tij, pala kosovare ka një kush për ta miratuar marrëveshjen në Kuvend.

“Tash ekziston një marrëveshje, por në atë marrëveshje lejohet që pas ratifikimit të ketë përmirësime nëse ka fakte dhe prova që ka pasur gabime. Ne kuadër të kësaj mund të ketë përafrim të qëndrimeve të të dyja qeverive”, ka thënë ai.