Partnerët e koalicionit nuk e marrin seriozisht “kërcënimin” e Pacollit

Aktuale February 05, 2018 - 17:45

Zëvendësministri dhe presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli ditë më parë në një emision televiziv “kërcënoi” kryeministrin Ramush Haradinaj me dalje nga koalicioni qeveritar, shkruan "Zeri.info".

Deklarata e Pacollit se “nëse nuk ratifikohet demarkacioni do t’i humb kuptimi kësaj qeverie”, nuk shihet si sinjal për prishje të koalicionit.

Në PDK, AAK dhe Nisma thonë se deklarata e Pacollit më shumë ka të bëjë me angazhimin e tij për të gjetur një zgjidhje për Demarkacionin me Malin e Zi sesa që është një kërcënim për dalje nga koalicioni.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi për  ka thënë se nuk ia vlen të komentohen situata hipotetike. Sipas tij e rëndësishme është arritja e një zgjidhje për Demarkacionin

“Nuk ia vlen që të komentohen situata hipotetike, sepse ende demarkacioni nuk ka ardh në seancë për votim. Ne shpresojmë se do të gjendet një rrugë që mundëson ratifikimin e marrëveshjes, jo për hir të Qeverisë, por për hir të qytetareve tanë që vazhdojnë të jenë të izoluar për shkak të mungesës së liberalizimit të vizave”, ka thënë Krasniqi.

Sherifi: Nuk jem të interesuar për zgjedhje të serishme

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka thënë se nuk beson që ka ndonjë parti, qoftë në pushtet apo në opozitë, që dëshiron të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“Qeveritë nga populli dalin dhe kur bien serish te populli kthehen. Por unë nuk besoj se cilado parti qofte ne pushtet apo opozite janë te interesuar për zgjedhje te serishme. Me se paku mendoj se do te ishte e interesuar AKR”, ka thënë Sherifi.

Ndërkohë, në AAK thonë se nuk ka mosmarrëveshje në koalicionin qeverisës.

“Për deklaratat e Pacollit mban vet përgjegjësi Pacolli, ne nuk kemi asnjë mosmarrëveshje në koalicion dhe gjithçka është në rregull”, ka thënë deputetja e AAK-së Time Kadrijaj.

Edhe Rrahim Pacolli, nga AKR  ka thënë se në koalicion çdo gjë është në rregull dhe sipas tij këto janë vetëm spekulime dhe se problemi qëndron tek ratifikimi i Demarkacionit.

“Nuk kemi asnjë mosmarrëveshje, jemi shëndosh si molla. Problemi krejt qëndron se a po kalon a apo jo demarkacioni”, ka thënë Pacolli

Hoti: Kjo qeveri duhet të bie

Sipas shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hotit, kjo Qeveri dita ditës e ka thelluar vendin në krizë, ndërsa deklaratat e Pacollit i ka konsideruar joserioze, shkruan tutje "Zëri.info".

“Pacolli e din se afati për liberalizim të vizave është humbur për sivjet. Ai e din cili është kushti për realizimin e vizave. Prandaj, Pacolli nuk e ka seriozisht. Po ta kishte seriozisht, ai sot nuk do të ishte në qeveri”, ka thënë Hoti.

Poashtu sipas tij kjo gjendje duhet të ndryshojë, sepse Kuvendi është shnëdrruar në arenë të përplasjeve.

“ Mbivotimi i opozitës në Kryesinë e Kuvendit është bërë normë e funksionimit të përditshëm të Kryesisë së Kuvendit. Deputetët e pozitës votojnë nën diktatin e liderëve të tyre politik në kundërshtim me etikën e sjelljes parlamentare. Kuvendi është shndërruar në arenë e përplasjeve dhe fyerje për çështje pa asnjë interes për qytetarin e Kosovës’, ka shtuar tutje ai.

Edhe profesori universitar, Rrahman Paçarizit ka thënë se nuk i sheh serioze deklaratat e Pacollit.

“Pamundësia për ta kaluar demarkacionin ka shumë gjasë që ta rrezikojë qëndrueshmërinë e Qeverisë, por personalisht nuk i shoh si shumë serioze deklarimet e Pacollit i cili nuk shquhet për konsistencë në qëndrimet e tij. Kosova është sot pa një opozitë të gatshme për ta sfiduar stabilitetin e Qeverisë. Së këndejmi, deklaratat e Pacollit më shumë janë flirt me Bashkësinë Ndërkombëtare sesa rrezik për Qeverinë”, ka thënë Paçarizi. 

Raportet ndërmjet partnerëve të koalicionit duken të relaksuara pasi kabineti qeveritar dhe presidenti i vendit dje janë pritur në një darkë në shtëpinë e kreut të AK-së, Behgjet Pacolli. /Zëri/