BE-ja nuk ia kërkon Serbisë njohjen e Kosovës

Aktuale February 05, 2018 - 16:55

Strategjia e Bashkimit Evropian, që pritet të publikohet nesër, i referohet në shumë raste Kosovës dhe Serbisë.

Aty kërkohet normalizimi i raporteve ndërmjet dy vendeve në mënyrë që ato të ecin në rrugën drejt integrimit në BE.

Sido që të jetë, BE-ja Serbisë ia kërkon një marrëveshje juridikisht obligative, që nënkupton se Serbia si anëtare e Unionit nuk do ta bllokonte anëtarësimin eventual të Kosovës, por jo edhe njohjen e pavarësisë

Në dokument theksohet se pa një normalizim efektiv dhe gjithëpërfshirës ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE-ja nuk mund të ketë stabilitet afatgjatë në rajon.

“Një marrëveshje gjithëpërfshirëse juridikisht obligative është urgjente dhe kruciale në mënyrë që Serbia dhe Kosova të mund të avancojnë në rrugët respektive evropiane”, thuhet në dokument.

“Kosova do të përfitojë në mënyrë të konsiderueshme nga një marrëveshje përfundimtare me Serbinë”, theksohet në dokument.

Bashkimi Evropian në këtë strategji thekson se do t’i zgjerojë edhe më tej iniciativat e pajtimit.

“Do të ketë vazhdim të mbështetjes ndaj Mekanizmave Ndërkombëtarë të Tribunaleve kriminale dhe për Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në strategji.

Ndërkohë që në dokument mbetet e komplikuar rruga e integrimit të Kosovës, duke thënë se ajo ka mundësi për një përparim të qëndrueshëm nëpërmjet implementimit të MSA-së, duke ecur në rrugën e integrimeve sapo këtë ta mundësojnë rrethanat objektive. /Express/

Image