PDK-ja shpëton Istogun nga rivotimi, shpërblehet me tri drejtori

Aktuale February 05, 2018 - 08:16

Kryetari i Istogut, Haki Rugova, në orët e fundit të së shtunës ka arritur marrëveshje me PDK-në që ta votojnë kandidatin e LDK-së për kryesues të Kuvendit të Istogut, Qaush Balaj dhe për këtë “shërbim” ka shpërblyer PDK-në me tri drejtori. Serbët mbesin në koalicion me LDK-në, por nuk do ta marrin asnjë drejtori, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Nuk kishin lënë gjë pa thënë për LDK-në dhe Haki Rugovën gjatë debateve në kohën e fushatës për zgjedhjet lokale në komunën e Istogut, që u mbajtën më 22 tetor, ndërsa tani PDK-ja ka dalë të jetë shpëtimtare e Haki Rugovës dhe e LDK-së vetëm pak orë pa kaluar afati për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit të Istogut, të shtunën.

Mbledhja e Kuvendit të Istogut, që ka filluar të premten e kaluar dhe ka vazhduar gjatë gjithë ditës, nuk ka dhënë asnjë rezultat. Pas dy rundeve të votimit Istogu nuk arriti ta zgjedhë kryesuesin e Kuvendit.

Asamblistët e LDK-së, të “Vetëvendosjes” dhe tre asamblistë serbë, të cilët ndodheshin në sallë për të votuar, nuk arritën të merren vesh për ta votuar kandidatin e LDK-së Qaush Balaj, pasi serbët pretendonin të fitonin nga marrëveshja.

LEXO EDHE: Kosova në pritje të publikimit të Strategjisë së Zgjerimit të BE-së

Këshilltarët komunalë nga radhët e AAK-së dhe ata të PDK-së nuk morën pjesë në votim dhe ata nuk ndodheshin fare në sallë. Pas këtij dështimi tre asamblistët serbë kërkuan një orë pauzë me rekomandimin që partitë të merren vesh mes vete, në mënyrë që kryesuesi të zgjidhet në rrethin e tretë, shkruan tutje "Zëri".

Por, pas pauzës këshilltarët serbë nuk u kthyen më në sallë dhe kjo bëri që të dështojë zgjedhja në mungesë të kuorumit. Me kusht që të kthehen në sallë dhe të votojnë për kryesuesin përfaqësuesit serbë në Kuvendin e Istogut i kishin kërkuar kryetarit të Istogut Haki Rugovës dy drejtori, Drejtorinë e Bujqësisë dhe Drejtorinë e Arsimit.

Në këtë mënyrë rrethi i tretë i votimit për kryesues të Kuvendit të Istogut ishte shtyrë për të shtunën, që ishte dita e fundit për të mos shkuar edhe një herë në zgjedhje.

Duke qenë se me serbët do të jetë vështirë të ketë marrëveshje pa ua dhënë drejtoritë që kërkonin, kryetari i Istogut Haki Rugova dhe LDK-ja ishin detyruar që ta kërkojnë ndihmën e PDK-së.

Negocimi mes këtyre dy subjekteve politike kishte zgjatur gjatë gjithë ditës së shtunë, pasi PDK-ja kishte ardhur në situatë që të përfitojë shumë nga marrëveshja, ndonëse si subjekt politik në Istog PDK-ja kishte dalë e treta me vota të fituara, pas LDK-së dhe AAK-së dhe ka katër ulëse në Kuvendin e Istogut, ndërsa pas tyre janë subjektet politike serbe me tre asamblistë në Kuvendin e Istogut.  

Në ndërkohë, Zyra për Informim e Komunës së Istogut, duke parë se negociatat me PDK-në po shkojnë vështirë dhe të pasigurt nëse do të arrihej marrëveshje me PDK-në, ka njoftuar mediet nëpërmes një komunikate se vazhdimi i seancës së Kuvendit për zgjedhjen e kryesuesit do të bëhet të dielën, më 4 shkurt.

Por rreth orës 18:00, të shtunën, LDK-ja kishte arritur ta definojë marrëveshjen me PDK-në dhe këshilltarët komunalë ishin ftuar për vazhdimin e mbledhjes për në orën 19:00. E në rrethin e tretë të votimit të shtunën Qaush Balaj u zgjodh kryesues dhe në këtë mënyrë Komuna e Istogut i ka shpëtuar rivotimit për Asamblenë Komunale. Në garë ishin dy kandidatë, Qaush Balaj nga LDK-ja dhe Radenko Belosheviq, kandidat i pavarur nga radhët e minoritetit serb. Për Balajn votuan të gjithë asamblistët që morën pjesë në votim (18), ndërsa Bellosheviqi nuk mori asnjë votë. Gjashtë asamblistë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe dy të lëvizjes “Vetëvendosje” bojkotuan votimin, por qëndruan në sallë.

Përfaqësuesit e AAK-së në Kuvendin e Istogut, duke mos u pajtuar me marrëveshjen, u shprehën se me këtë koalicion, siç e quajtën ata “të zorit”, Komuna e Istogut dhe qytetarët e Istogut do të humbin shumë. “Istogu vetëm sa ka humbur nga ky koalicion, nuk do të ketë asnjë të mirë për qytetarët e Istogut, ia pafshin hairin”, janë shprehur ata pothuajse me një zë.

E ndërkaq kryetari i Istogut Haki Rugova, tejet i kënaqur me zgjedhjen e Balajt për kryesues të Kuvendit të Istogut, tha se marrëveshja me PDK-në është bërë për të mirën e Istogut dhe për qytetarët e saj për të mos shkuar edhe një herë në zgjedhje.

Ai pranoi se PDK-së për këtë “shërbim” do t’i takojnë tri drejtori, Drejtoria e Shëndetësisë, Drejtoria e Arsimit dhe Drejtoria e Bujqësisë.

Ai tha gjithashtu se LDK-ja në Istog është në koalicion edhe me minoritetin serb, që ka tri ulëse në Kuvend. Rugova ka siguruar se serbëve nuk do t’ua japë për ta udhëhequr asnjë drejtori, por që me ta do të bashkëpunojë ngushtë për të gjitha çështjet që janë në interes të qytetarëve të Istogut, edhe të atyre serbë, boshnjakë dhe të tjerëve.