Java e Demarkacionit

Aktuale February 05, 2018 - 07:43

Kjo javë pritet të jetë vendimtare për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Kryesia e Kuvendit sot e ka në rend dite këtë marrëveshje, përderisa nesër kryeministrat e Kosovës dhe të Malit të Zi do t’i diskutojnë modalitetet e mundshme që Demarkacioni të kalojë në Kuvend, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Këtë javë pritet që përfundimisht të bëhet e ditur se çfarë do të ndodhë me Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi: nëse do të votohet (e të rinegociohet më pas), të rrëzohet në Kuvend apo të vazhdojë të mbetet pezull.

Fati i kësaj marrëveshjeje (e nënshkruar para më shumë se dy vjetësh) pritet të përcaktohet së shpejti. Kryesia e Kuvendit do ta mbajë mbledhjen e radhës sot, me ç’rast do ta shqyrtojë edhe këtë marrëveshje.

Ndërkaq, gjatë ditës së nesërme pritet të vijë për vizitë në Kosovë kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, shkruan tutje "Zëri".

Por, meqë dy kryeministrat qëndrimet e kundërta të tyre karshi kësaj marrëveshjeje i ripërsëritën edhe para dy ditësh, gjasat që të gjendet një zgjidhje e përbashkët po shkojnë duke u venitur. Përfaqësuesit e AAK-së kanë deklaruar sërish se ky subjekt nuk do ta mbështesë versionin aktual të Demarkacionit.

E pos dallimeve mes palës kosovare e asaj të Malit të Zi, kundërshti në qëndrime ka edhe brenda vetë Qeverisë.

Përderisa kryeministri Haradinaj po vazhdon të shprehet kundër variantit të tanishëm të Marrëveshjes, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj tashmë ka nisur së angazhuari për një zgjidhje të re, e cila sipas analistëve politikë ka pasur mundësi të dalë frytdhënëse.

Haradinaj e Markoviq me qëndrime të kundërta rreth Demarkacionit

Pavarësisht pretendimeve të zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj që të gjejë një zgjidhje të përbashkët për Demarkacionin, para dy ditësh kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, theksoi prapë se ai nuk e mbështet versionin aktual të kësaj marrëveshjeje.

“Siç është në gjendjen e tanishme ne i themi jo”, është shprehur i pari i ekzekutivit, duke pohuar se ky version nuk e ka shumicën në Kuvendin e Kosovës.

Po të njëjtën ditë homologu i tij nga Mali i Zi, Dushko Markoviq, theksoi se çështja e kufirit tashmë është e mbyllur.

“Demarkacioni është temë e kryer për Malin e Zi. Marrëveshja është e nënshkruar nga të dyja shtetet, kurse Mali i Zi e ka ratifikuar në Parlament këtë marrëveshje. Mali i Zi e ka kryer obligimin e vet. Jam i besimit se Parlamenti i Kosovës do ta ratifikojë Marrëveshjen”, ka deklaruar Markoviq për RTK-në.

Demarkacioni sot në Kryesi, s’dihet kur do të shkojë për votim

Ndërkohë, ani pse në mbledhjen e së hënës Kryesia e Kuvendit pritet të diskutojë rreth Demarkacionit, nuk dihet ende se kur kjo Marrëveshje do të dalë në seancë për votim.

“Po, kjo është si çështje që do të diskutohet në Kryesi, pastaj nuk e di se çka do të vendosë Kryesia”, ka deklaruar nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti.

Ndërkohë, i pyetur nëse do të procedohet për seancë plenare gjatë kësaj jave, Haliti ka thënë se Demarkacioni nuk duhet të dërgohet në Kuvend dhe të dështojë së votuari.

“Këtu janë dy çështje: nëse duam ta kalojmë apo duam të bëjmë shaka me këtë çështje.  Unë besoj që duhet të shihet mundësia e kalimit të kësaj Marrëveshjeje dhe nuk duhet ta nxjerrim si temë dhe të dështojë miratimi i Demarkacionit për arsye se Kosova penalizohet në arenën ndërkombëtare nëse bën lojëra të tilla”, ka theksuar Haliti gjatë një interviste dhënë “Zërit”.

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, është shprehur optimist se do të gjendet një zgjidhje për Demarkacionin.

“Ne shpresojmë se do të gjendet një rrugë që mundëson ratifikimin e Marrëveshjes jo për hir të Qeverisë, por për hir të qytetarëve tanë që vazhdojnë të jenë të izoluar për shkak të mungesës së liberalizimit të vizave”, ka thënë Krasniqi për “Zërin”.

Selmanaj: Nuk e votojmë versionin aktual

Pavarësisht kësaj, deputeti i AAK-së Rasim Selmanaj ka ritheksuar se ky subjekt nuk e mbështet versionin aktual të Demarkacionit.

“Ne nuk e votojmë. Megjithatë, ne jemi të interesuar që të ketë zgjidhje. Versioni aktual për AAK-në dhe për mua personalisht nuk votohet”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, i pyetur nëse AAK-ja do ta mbështeste votimin e këtij versioni (me marrëveshje që kjo të rinegociohej më vonë), duke mos saktësuar, ai ka thënë se AAK-ja është e interesuar për një zgjidhje.

“Çfarëdo zgjidhjeje që bindemi që Kosova nuk humb territor sigurisht që e përkrahim. Por, derisa nuk bindemi me cilindo propozim ne nuk e votojmë”, është shprehur ai.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Nismës Socialdemokrate tash e disa herë janë shprehur optimistë se do të gjendet një zgjidhje e përbashkët për Demarkacionin.

Nagavci: Demarkacioni s’duhet të vijë në Kuvend

Nga ana tjetër deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Arbërie Nagavci, ka thënë se Marrëveshja e Demarkacionit (në variantin aktual) nuk do të duhej të procedohej për votim, meqë vija kufitare mes dy shteteve nuk është në përputhje.

“Pas këtyre gjetjeve zyrtare Marrëveshja e pretenduar për Shënjimin e Vijës Kufitare nuk do të duhej të vinte fare në Kuvend”, është shprehur ajo gjatë ditës së djeshme.

Kurse deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka vlerësuar se kryeministri i tanishëm Ramush Haradinaj e ka përdorur Demarkacionin për të ardhur në pushtet.

Avdyli më tej ka thënë se LDK-ja pret të ketë një zgjidhje, porse një gjë e tillë nuk mund të arrihet me Haradinajn kryeministër.

“Vizita në Kosovë është sinjal që Mali i Zi ka interes ta zgjidhë këtë çështje, por problemi qëndron te Ramush Haradinaj, i cili ende ngul këmbë në qëndrimin e tij. Andaj, derisa është kjo Qeveri s’besoj që do të ketë zgjidhje Demarkacioni”, është shprehur ai.

Megjithatë, ai ka thënë se LDK-ja do të luajë rol pozitiv drejt zhbllokimit të situatës.

Baraliu: Të gjendet një konsensus për Demarkacionin ose të rrëzohet

Njohësi i çështjeve politike Mazllum Baraliu është shprehur skeptik nëse pas vizitës së kryeministrit të Malit të Zi në Kosovë do të gjendet një zgjidhje për Demarkacionin.

“Mbrëmë kryeministri malazias e bëri të qartë se as nuk do të diskutohet gjatë vizitës në Kosovë për Demarkacionin dhe as që do të pranojë eventualisht Mali i Zi që Demarkacioni të dërgohet në Arbitrazh”, ka deklaruar ai.

Sipas Baraliut, aktualisht edhe brenda vetë koalicionit qeverisës ka mospajtueshmëri sa i përket kësaj marrëveshjeje. Andaj, ashtu siç ai është shprehur, përderisa nuk arrihet një konsensus kjo çështje ose duhet të shtyhet, ose të dërgohet e të rrëzohet në Kuvend.

E Rasim Alija, hulumtues në organizatën joqeveritare “D4D”, ka thënë se rrugëtimi i mëtejshëm i Demarkacionit mbetet të shihet pas deklarimit të kryeministrit malazias gjatë vizitës në Kosovë.

Megjithatë, sipas tij, ka shumë gjasa që pikërisht Demarkacioni të bëhet shkas që kjo Qeveri të mos e çojë mandatin e saj deri në fund.