1 vit nga rrënimi i murit në veri

Aktuale February 04, 2018 - 18:33

Sot është bërë një vit nga nënshkrimi i marrëveshjes për rrënimin e murit në pjesën veriore, ndërsa nesër (5 shkurt) bëhen një vit nga rrënimi i këtij muri.

Muri në veri të Ibrit ishte ndërtuar gjatë dhjetorit të vitit 2016 nga autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut.

Por, sipas Prishtinës zyrtare, ndërtimi i këtij muri ishte ilegal, që nënkupton ndarjen e Mitrovicës dhe si i tillë kërkohej të rrënohej, shkruan Zëri.

Me qëndrim për rrënimin e këtij muri ishte paraqitur edhe Kuvendi i Kosovës përmes një rezolute.

Megjithatë, tensionet e ngritura nga ndërtimin i murit filluan të relaksohen pas disa javësh, kur u arrit marrëveshja për rrënimin e murit.

Marrëveshja për rrënimin e murit ishte nënshkruar nga kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ministrit i atëhershëm i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala derisa si dëshmitarë të marrëveshjes kanë nënshkruar, ish-kryeministri Isa Mustafa, zëvendësi i tij, Brainimir Stojanoviq, përfaqësuesja e BE-së për Kosovë, Natalia Apostolova dhe ambasadori amerikan, Greg Delawie, raporton “Zeri.info”.

Në marrëveshje ishin të sqaruara pikë për pikë të gjitha hapat e rrëzimit të murit, si dhe ndërtimit të strukturës së re.

Në këtë dokument të marrëveshjes thuhej se të gjitha palët janë pajtuar që rrënimi i murit të kryhet me datën 5 shkurt 2017, çka edhe në të vërtetë ka ndodhur.

Në bazë të marrëveshjes, në vend të murit do të ndërtohet një strukturë e re mbrojtëse në zonën e këmbësorëve, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur akoma edhe pas një viti. /ZËRI/