Haliti: S’ka shaka me BE-në dhe SHBA-në

Aktuale February 04, 2018 - 16:06

Një ditë para se Kryesia e Kuvendit ta shqyrtojë dhe procedojë për në Kuvend demarkacionin me Malin e Zi, njëri nga nënkryetarët po kërkon që një gjë e tillë të mos ndodhë, pa u siguruar votat.

Xhavit Haliti vazhdon të ngul këmbë që nëse demarkacioni shkon në Kuvend për tu rrëzuar, pasojat për Kosovën do të ishin të rënda.

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti po thotë se Kosova do të izolohej nga bashkësia ndërkombëtare nëse demarkacioni rrëzohet në Kuvend.

Sipas Halitit marrëveshja për shenjëzimin e kufirit me Malin e Zi do të ishte më mirë të procedohej për në Kuvend, pasi të ishin arritur dy të tretat e votave.

“Ajo që e kam thënë më herët vlen edhe sot, nëse nuk janë dy të tretat e votave është më mirë që të mos futet për tu votuar, sepse pasojat do të ishin të rënda për Kosovën, nëse demarkacioni futet në shqyrtim dhe nuk votohet”, ka thënë Xhavit Haliti për lajmi.net

Ai tutje thotë se marrëveshja e demarkacionit është ndërkombëtare, dhe si rezultat nëse nuk ratifikohet, Kosova do të kishte pasoja të rënda, që sipas tij mund të shkojnë deri në izolim nga bashkësia ndërkombëtare.

“Demarkacioni është marrëveshje ndërkombëtare, dhe mendoj që do të kishte pasoja të rënda nëse nuk votohet. Deri në izolim nga bashkësia ndërkombëtare. Do të ishte gabim nëse shkon në Kuvend për tu  mos votuar”, deklaron Haliti për lajmi.net

Nënkryetari i Kuvendit thotë se politikanët në vend duhet të jenë të përgjegjshëm në veprimet e tyre.

Ai ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka pasur ndonjë iniciativë për ta tërhequr nënshkrimin që e ka dhënë Kosova në këtë marrëveshje.

“Unë mendoj se krejt politikanët në Kosovë duhet të jenë përgjegjshëm që nënshkrimi i marrëveshjeve nga qeveria e parë duhet të zbatohet nga të gjitha qeveritë pasi janë marrëveshje ndëkombëtare. Për tu tërehqur nga nënshkrimi që e ka bërë qeveria e Kosovës, nuk ka pasur asnjë iniciativë dhe ka mbetur realisht si problem i patrajtuar deri në fund nga Parlamenti i Kosovës që do të duhej ta votonte”, ka thënë Haliti.

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës thotë se Kosova nuk mund të bëjë shaka me BE-në dhe Amerikën.

“I dini problemet që kanë ndodhur në Kuvend për këtë çështje. Unë nuk e di se çfarë do të ndodhë tash, por e di që ne nuk mundemi me bo shaka me BE-në me Amerikën”, ka përfunduar Xhavit Haliti.

Por, kryeministri Haradinaj gjatë ditës së djeshme deklaroi se versioni aktual i demarkacionit nuk kalon.

E për ta gjetur një zgjidhje po mundohet zv/kryeministri, Fatmir Limaj që disa ditë më parë qëndroi në Mal të Zi.

Kryeministri malazez, Dushko Markoviq në një intervistë ditën e djeshme që e dha për televizionin publik tha se për Malin e Zi puna e demarkacionit është e kryer, duke përjashtuar edhe mundësinë e dërgimit në arbitrazh.

Ratifikimi i demarkacionit vazhdon të mbetet kusht kryesor për liberalizimin e vizave nga BE-ja.