Istogu shpëton nga zgjedhjet, LDK-ja bën koalicion me PDK-në

Aktuale February 03, 2018 - 21:27

Zgjedhja e Qaush Balajt si kryesues i Kuvendit të Istogut ka shpëtuar këtë komunë pa shkuar përsëri në zgjedhje për asamblenë komunale.

Balaj është zgjedhur në orët e vona të së shtunës në seancën e zgjedhjes së kryesuesit.

Në garë ishin dy kandidatë, Balaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Radenko Beloshoviq, nga minoriteti serb si kandidat i pavarur.

Beloshoviq nuk mori asnjë votë, kurse për Balajn e votuan 18 asamblistë, nga 26 sa ishin në sallë.

LEXO EDHE: Qaush Balaj u zgjodh kryesues i Kuvendit në Istog

Gjashtë asamblistët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe dy të Lëvizjes Vetëvendosjen bojkotuan votimin.

Zgjedhja e Balajt erdhi vetëm pasi LDK-ja bëri koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës në këtë komunë.

Kryetari i Istogut nga radhët e LDK-së, Haki Rugova, tha në një deklarim për Klan Kosovën se kanë bërë koalicion me PDK-në dhe kështu katër asamblistë të kësaj partie votuan kandidatin e tyre.

Nga ky koalicion PDK-ja fiton tri drejtori, por ende nuk dihet se cilët sektorë të komunës do t’i udhëheqë.

Rugova tha se ka gjetur gjuhë të përbashkët edhe me pakicën serbe, por ata nuk është se do të udhëheqin me ndonjë nga drejtoritë.