Kërkohet dënim më i lartë për aktivistët e VV- së

Aktuale February 03, 2018 - 18:40


Prokurori Abdurrahim Islami ka kërkuar dënim më të lartë për aktivistët e Vetëvendosjes, Adea Batushën, Egzon Halitin, Atdhe Arifin dhe Frashër Krasniqin, për sulmin në Kuvend.

KALLXO.com ka siguruar ankesën e prokurorit të rastit, Abdurrahim Islami, kundër aktgjykimit të shkallës së parë përmes së cilit dënoi 4 aktivistët e VV- së në total prej 21 vjetësh e 6 muaj burg.

Ankesa e prokurorisë fillon me pakënaqësinë ndaj dënimit të shqiptuar për Adean, atë prej 2 vjet burgim, derisa përfundon me propozimin e tij që të akuzuarve ti shqiptohet dënim me burgim më të lartë.

Prokuroria në ankesë ka vlerësuar se me rastin e shqiptimit të dënimit për të akuzuarën Adea, Gjykata ka bërë shkelje të ligjit penal, me arsyetimin se dënimi prej 2 vjetësh për atë vepër penale, është dënim nën nën kufirin e paraparë ligjor, derisa për një vepër të tillë, dënimi minimal do të ishte prej 5 vjetësh burgim.

Sipas prokurorisë, nuk ka ekzistuar asnjë rrethanë lehtësuese për Adea Batushën e cila do të arsyetone dënimin nën minimum ligjor, pasi që Adea as nuk ka pranuar fajësinë, e as nuk ka lidhur marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Prokuroria në ankesë pretendon se as dënimet e të tjerëve nuk i përgjigjen shkallës së rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale të krye.

“Bazuar në faktin se në këtë rast kemi të bëjmë me një gjuajtje me raketë- hedhës të një institucioni shtetëror i cili nuk mund të krahasohet me asnjë institucion tjetër, ngase ai është objekti i organit më të lartë legjislativ i shtetit të Kosovës dhe vetëm fati që raketa nuk depërtoj brenda objektit ka shpëtuar që ky objekt të mos digjet në tërësi dhe të mos ketë pasoja me njerëz”, thuhet më tej në ankesë.

Në fund të ankesës, prokuroria ka propozuar që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet, ashtu që të akuzuarve të iu shqiptojë dënim me burgim më të lartë.

KALLXO.com ka siguruar edhe ankesën e avokatit të Atdhe Arifit, i cili u dënua me 6 vjet burg.

Avokati i Arifit, Ramiz Krasniqi, pretendon se aktgjykimi i shkallës së parë është i pa ligjshëm, i pa mbështetut në asnjë provë, “përpos në bindjen e lirë dhe të paluhatur të gjykatësit”, ka thënë ai në ankesë.

“Ankesa më e mirë kundër këtij aktgjykimi është vet aktgjykimi”, e ka nisur ankesën avokati Krasniqi, derisa ka shtuar se “ky aktgjykim, si i tillë, nuk meriton të ngelet në analet e gjyqësorit të Republikës sonë!.

Avokati Krasniqi përkundër prokurorit që ka kërkuar dënim më të lartë për të akuzuarit, avokati Krasniqi i ka kërkuar Gjykatës së Apelit që të mbrojturin e tij, Atdhe Arifin, ta lirojë në mungesë të provave.

Në tetor të vitit 2016, ata u shpallën fajtorë në akuzën për të cilën janë ngarkuar dhe janë dënuar me një total prej 21 vjet e 6 muaj burg.

Atdhe Arifi është dënuar me 6 vjet burg, Frashër Krasniqi me 8 vjet, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë ndërsa Adea Batusha me 2 vjet burg.

Katër aktivistët e Vetëvendosjes akuzohen për sulmin e kryer në gusht të vitit 2016 ndaj Kuvendit të Kosovës

Në këtë rast, të akuzuar për sulmin me mjet shpërthyes kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës ishin Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Adea Batusha dhe Frashër Krasniqi.

Të katër të akuzuarit e këtij rasti ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 28 shkurt të këtij viti ndërsa aktakuzën e kishin quajtur politike ndërsa kërkesat e tyre për hedhje të aktakuzës dhe pushim të procedurës ishin refuzuar nga Gjykata Themelore.

Pjesë e aktakuzës ka qenë edhe Astrit Dehari, i cili në nëntor të vitit 2016 ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren.