Haradinaj takon artistin që i`u iku tatimeve

Aktuale February 03, 2018 - 15:20

Në vazhdën e takimeve, të cilat i zhvillon kryesisht të shtunave, kryeministri i vendit Ramush Haradinaj është takuar sot edhe me këngëtarin e njohur kosovar Shkëlzen Jetishin-Xenin.

Haradinaj ka shkruar në facebook se ishte një takim i përzemërt me Shkëlzen Jetishin, doajenin e këngës së mirëfilltë qytetare.

“Këngëtar i rrallë, i cili me vite ka interpretuar perlat e muzikës shqiptare të të gjitha trevave, duke ruajtur kulturën dhe këngën tonë. Të kultivojmë vlerat tona dhe t’i lartësojmë ato”, ka shkruar ai.

Por, mediat në Kosovë kishin raportuar në vitin 2015 për një listë me më shumë se 50 këngëtarë të estradës që janë duke u hetuar nga Policia e Kosovës, gjegjësisht nga Prokuroria dhe njësia për Krime Ekonomike.

Në këtë listë bën pjesë edhe Jetishi. Këngëtarët nuk i kishin paguar tatim shtetit të Kosovës ose kishin bërë pagesa simbolike, e në këtë mënyrë të gjitha të hyrat që ata kanë marrë nga mbrëmjet muzikore i kanë shkaktuar dëme milionëshe buxhetit të Kosovës.

Mbi 4 milionë euro llogaritet se këta këngëtarë i kishin shkaktuar dëme buxhetit të shtetit duke mos e deklaruar të ardhurat e tyre në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).

Ndryshe, një tjetër këngëtare kosovare Mihrije Braha ka deklaruar publikisht në një emision televiziv se nuk dëshiron të paguajë taksa për shtetin, pasi shteti nuk po bën asgjë për ta.