Gucati: Nisma për shfuqizimin e Speciales mbetet në fuqi

Aktuale February 02, 2018 - 14:02

Organizata e Veteranëve të UÇK-së, nuk e ka humbur shpresën se mund të shfuqizohet Gjykata Speciale, përkundër deklarimeve të presidentit, kryeparlamentarit dhe kryeministrit, se kjo gjykatë nuk do të zhbëhet. Kreu i kësaj shoqate Hysni Gucati i ka varë shpresat tek deputetët që nënshkruan thirrjen e seancës së jashtëzakonshme. Ndërsa vetë deputetë nuk duan të flasin rreth kësaj çështje.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati nuk deshi t’i komentojë deklaratat e fundit të presidentit Hashim Thaçi për nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, por tha se kur është marrë iniciativa, nuk e kanë pasur mbështetjen as të presidentit, as të kryeministrit e as të kryeparlamentarit. Gucati tha se nisma është ende në fuqi dhe shpreson tek deputetët që e kanë nënshkruar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme.

“Ka qenë shumë e pavërtetë që neve na ka shty Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj apo Kadri Veseli. Asnjëri nuk na ka shty neve, ne e kemi marrë iniciativën vetë. Por ne shpresojmë tek qytetarët të cilët e kanë marrë votën e qytetarëve, që kjo çështje sa më shpejtë të shkojë në Kuvendin e Kosovës”, tha Gucati, për Radio Kosovën.

Radio Kosova ka kontaktuar me deputetin e PDK-së, Nait Hasanin, i cili është nismëtar i mbledhjes së nënshkrimeve, por ai nuk ka dashur të flas për këtë çështje. As deputetë të tjerë nënshkrues nuk deshën të flasin.

Mbledhja e 43 nënshkrimeve u bë më 22 dhjetor të vitit që lamë pas, por ajo seancë nuk u mbajt, pasi Kryesia nuk kishte kuorum për ta thirrur seancën. Kryetari i veteranëve, Hysni Gucati e konsideron shkelje kushtetuese një gjë të tillë. Megjithatë, përveç shpresës se kjo çështje do të ecë përpara, Gucati thotë se si organizatë nuk kanë ende një qëndrim se si do të veprojnë nëse kjo çështje ngecë.

“Ne do të ulemi si kryesi, do të bisedojmë për hapat e mëtejmë. Besoj se ne do të marrim një vendim shumë shpejt, do të dalim me qëndrimet tona”, tha Gucati.

Një ditë më parë presidenti Hashim Thaçi duke dhënë qëndrim shtetëror, tha se Gjykata Speciale nuk do të shfuqizohet.

“Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet dhe nuk do të shfuqizohet. Ky është qëndrim i shtetit të Kosovës. Jo opinion, por qëndrim i shtetit”, u shpreh Thaçi.

Një qëndrim të tillë javë më parë e ka dhënë edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili duke e quajtur të padrejtë këtë gjykatë, tha se Kuvendi nuk mund ta shfuqizojë atë. Njësoj ka thënë edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Kryesia e Kuvendit ditë më parë e ka proceduar për mendim në Qeveri Projektligjin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, por kryeministri Haradinaj të enjten bëri të ditur se ende nuk ka një mendim të Qeverisë për këtë projektligj.