Ministri Tahiri fton deputetët të votojnë emrat e propozuar për Komisionin e Jurisprudencës

Aktuale February 02, 2018 - 13:46

Ministria e Drejtësisë së shpejti do të organizoj provimin e jurisprudencës.

Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, i pari i kësaj Ministrie, ka bërë të ditur se tashmë Qeveria ka miratuar propozimin për formimin e Komisionit, që sipas Ministrit, në përbërje të tij, ka figurat më eminente të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Ministri Tahiri ka kërkuar nga deputetët që të miratojnë propozimin për formimin e Komisionit, duke parë rëndësinë e madhe që ka ky Komision.

“Provimi i jurisprudencës është parakusht themelor për ushtrimin e profesionit të gjyqtarit, prokurorit apo avokatit dhe hapi më i rëndësishëm drejt ndërtimit të karrierës profesionale të një juristi. Kuadrot e përgatitura profesionalisht, do t’i bashkohen gjyqësorit, prokurorisë, avokatisë dhe profesioneve të lira ligjore, për të ndihmuar Kosovën në ndërtimin dhe fuqizimin e kapaciteteve institucionale por edhe vet ngritjes dhe konsolidimit të kulturës së mirëfilltë juridike dhe profesionale në pajtim me standardet më të larta ndërkombëtare”, ka shkruar Tahiri.

Ministri ka theksuar se Ministria që ai drejton është e gatshme që pas miratimit në Kuvendin, menjëherë të organizojë provimin.

“Unë besoj fuqishëm që pa humbur kohë, do të mund të organizojmë provimin e jurisprudencës për të gjithë ata që duan të kontribuojnë në transformimin e mëtejmë të sistemit të drejtësisë dhe për të mbështetur edhe drejtpërdrejtë konsolidimin e Shtetit të së Drejtës”, ka theksuar ministri Tahiri.