Ndarja i’a humb primatin Vetëvendosjes në Kuvend

Aktuale February 02, 2018 - 09:41

Lëvizja Vetëvendosje s’ka dyshim se po shkon drejt ndarjes, kjo sidomos pas informacioenve se grupi i të pakënaqurve ka kërkuar krijimin e një grupi të ri parlamentar.

Mbrëmë është raportuar se një numër prej 10 deputetëve që aktualisht janë në Vetëvendosje, kanë dërguar në administratë kërkesën për krijimin e një grupi të ri parlamentar.

Kjo pas përçarjeve të mëdha që dolën në pah në këtë parti muaj më parë.

Por një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Kuvendi i Kosovës.

Ismet Krasniqi sekretar i Kuvendit të Kosovës tha mbrëmë për lajmi.net se deri më tani nuk kanë ndonjë kërkesë zyrtare..

“Lidhur me çështjen e ngritur, në administratë nuk kemi pranuar kërkesë për grup të ri parlamentar”, ka thënë Krasniqi.

E nëse të dorëhequrit vetëm krijojnë një grup të ri parlamentar, kjo do të ishte fatale për partinë e Albin Kurtit.

Nga partia më e madhe në Kuvend, ata do të mbeteshin vetëm të tretët për nga numri i deputetëve.

Primatin do ta merrte Lidhja Demokratike e Kosovës me 27 deputetë, kurse PDK-ja do të kishte 23 tjerë.
Vetëvendosja e Albin Kurtit kësisoj do të mbetej me 22 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Sipas burimeve jozyrtare deri më tani në grupin e ri parlamentar që do të dalë nga të dorëhequrit janë këta deputët: Dardan Molliqaj, Dardan Sejdiu, Visar Ymeri, Dukagjin Gorani, Aida Dërguti, Shqipe Pantina, Donika Kadaj, Faton Topalli, Fisnik Ismaili dhe Driton Çaushi.

Kur merren deklaratat e Dardan Molliqajt ditë më parë, pikërisht këta persona do të mund ta krijojnë edhe një subjekt të ri politik.