Qeveria pezullon vendimin për rritjen e pagave

Aktuale February 02, 2018 - 08:03

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim dje që ta pezullojë përkohësisht vendimin e muajit dhjetor të 2017-s, sipas të cilit tërë kabinetit qeveritar u dyfishoheshin pagat.

Ky vendim i ekzekutivit erdhi pasi Agjencia e Kundërkorrupsionit e shpalli të kundërligjshme rritjen e pagave, shkruan sot Gazeta 'Zëri'.

Me këtë rast, gjatë mbledhjes së djeshme të Qeverisë kryeministri Ramush Haradinaj tha se ky pezullim do të vlejë deri në një përgjigje të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje. 

LEXO EDHE: Foggo: Stabilitet në Kosovë edhe pas aktakuzave të Speciales

Në mbledhjen e së enjtes Qeveria miratoi edhe një pako të projektligjeve për sistemin gjyqësor, për të cilat u tha se do ta rrisin transparencën. Me këtë rast, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, deklaroi se Projektligji për Gjykatat mundëson publikimin e të gjitha aktgjykimeve të nxjerra. “Ligji i ri i obligon të gjitha gjykatat që t’i publikojnë aktgjykimet në afat prej 60 ditësh”, tha ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri.

I pari i Ministrisë së Drejtësisë më tej deklaroi se ndryshimi i këtij projektligji do t’ua mundësojë gjyqtarëve që me 5 vjet përvojë të bëhen pjesë e Gjykatës së Apelit.

“Ky projektligj për t’i zgjedhur gjyqtarët në Gjykatën e Apelit kërkon 5 vjet përvojë pune në vend të 10 vjetëve që ka qenë në ligjin e mëparshëm”, theksoi më tej i pari i këtij dikasteri.

Ndërkohë Qeveria (në kuadër të sistemit të drejtësisë, pos Projektligjit për Gjykatat), miratoi edhe disa projektligje të tjera: atë për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, atë për Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe Projektligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve...(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Gazetës Zëri si dhe në versionin Online me parapagim në online.zeri.info)