Foggo: Stabilitet në Kosovë edhe pas aktakuzave të Speciales

Aktuale February 02, 2018 - 07:59

Admirali James Foggo III, komandant i Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, gjatë ditës së djeshme ka bërë të ditur se KFOR-i do të vazhdojë të sigurojë paqen në Kosovë edhe pasi Gjykata Speciale të fillojë me punën e saj, shkruan sot Gazeta 'Zëri'.

“Kurdo që Gjykata Speciale del me ndonjë aktgjykim ose ndonjë aktakuzë, ne do ta ruajmë paqen dhe stabilitetin. Sipas rregullave, KFOR-i është përgjegjësi i tretë sepse Policia e Kosovës është forca e parë për ndërhyrje, pastaj është EULEX-i dhe në fund KFOR-i. Në rast të ndonjë trazire, tensionimi të situatës ose zvogëlimi të sigurisë ne punojmë të gjithë së bashku dhe KFOR-i është këtu për ju”, ka thënë Foggo gjatë vizitës së tij në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë së bashku me komandantin e KFOR-it, Salvatore Cuoci.

LEXO EDHE: Zmbrapsja speciale e Thaçit

Gjithashtu ai bëri të ditur që arsyeja e vizitës së tij është vrasja e politikanit serb Oliver Ivanoviq, si dhe ofrimi i sigurisë së mëtutjeshme në shtetin e Kosovës.

“Kam shtyrë agjendën pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit javë më parë sepse doja të vija këtu me mesazhin se KFOR-i qëndron i gatshëm të ofrojë çka do që ne mundemi për të ruajtur stabilitetin, paqen dhe sigurinë. Ky është misioni ynë dhe kështu doja t'i risiguroja kryetarët, atë të Mitrovicës Jugore dhe atë Veriore, dhe drejtorin e Policisë”, ka thënë admirali amerikan.

Rakiqi nuk i bashkohet konferencës së përbashkët me Bahtirin

Edhe pse ishte paralajmëruar që pas kësaj vizite do të mbahej edhe një konferencë e përbashkët mes krerëve të KFOR-it, me dy kryetarët e komunave të Mitrovicës, asaj Jugore dhe Veriore, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Kjo pasi kryetari i Mitrovicës Veriore Goran Rakiq gjatë kohës kur po mbahej konferenca e përbashkët vendosi të qëndronte në pjesën veriore dhe jo në atë jugore, ku edhe po zhvillohej takimi.

I pyetur nga gazetarët se pse një gjë e tillë po ndodh, Foggo u përgjigj duke thënë se ai është aty prapa kamerave.

Rakiqi e Bahtiri shtrëngojnë duart në veri

Por pas përfundimit të konferencës komandanti i Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admirali Foggo III, komandanti i KFOR-it, Salvatore Cuoci, Agim Bahtiri dhe Goran Rakiq kanë shtrënguar duart duke thënë se “vetëm bashkë ne mundemi”.

Pasi Rakiq nuk kaloi në pjesën jugore të gjithë të ftuarit kaluan në pjesën veriore, me ç’rast edhe konferenca e dytë vazhdoi.

Edhe pse Rakiq në fillim deshi të shmangë momentin e shtrëngimit të duarve me Bahitirin, admirali Foggo III dhe komandanti i KFOR-it Salvatore Cuoci insistuan që një gjë e tillë të ndodhë.