LDK dhe AAK nuk e mbështesin vendimin për ndotjen e ajrit

Aktuale February 01, 2018 - 16:03

Grupet Parlamentare të Komunës së Prishtinës të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nuk e kanë mbështetur vendimin e Komunës së Prishtinës për parandalimin e ndotjes së ajrit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Komunës së Prishtinës nga LDK, Halim Halimi e sheh ndotjen e ajrit në Prishtinë si një proces kompleks dhe sipas tij është dashur të merren masa paraprake, raporton "Zëri.info".

"Ndotja e ajrit ne Komunën e Prishtinës është një problem kompleks. Është dashur te punohet edhe më herët pavarësisht se kush ka qeverisur, prandaj kemi ardhur ne këtë gjendje", ka thënë ai.

LEXO EDHE: Përplasen Shpend Ahmeti dhe Blerand Stavileci

Ai po ashtu, nuk e ka mbështetur vendimin e Komunës për ndalimin e qarkullimit të automjeteve në disa zona në kryeqytet, pasi sipas tij kjo ka shkaktuar vetëm tollovi në komunikacion.

"Nuk e mbështes vendimin e Komunës. Nuk po paraqitet shumë efektiv. Gjendja e transportit në qytet është e mbingarkuar, autobusët janë të mbipopulluar. Këto masa dhashtë zoti të mos jenë afatgjate por të krijohen masa afatgjate", ka thënë Halimi. 

Ai përmendi edhe thëngjillin si njëri ndër faktorët kryesor për ndotjen e ajrit.

"Nxemja me thëngjill 80% e ndot ajrin në Prishtinë", ka shtuar ai.

Ndërsa, propozim i tij është ndalja e procesit mësimor deri në përmasimin e cilësisë së ajrit në Prishtinë.

Në anën tjetër, Fadil Gashi shef i Grupit Parlamentar të Komunës së Prishtinës nga AAK thotë se partia në të cilën bën pjesë ai mendon se zgjidhja e këtij problemi duhet të bëhet me plane konkrete.

"Aleanca mendon shtirjen e Termokosit në të gjitha lagjet. Nxemja qendrore nuk ka funksionuar kurrë pas lufte. Qytetarët ngrohen me thëngjill dhe dru. Nëse u ndalohen këto dyja atëherë çfarë zgjidhje mundemi më ua ofru", ka thëne ndër të tjera Gashi.

Ai po ashtu njoftoi se partia e tij nuk e përkrah vendimin e Komunës së Prishtinës. 

Ndërsa, asambleisti nga LDK Shefki Gashi, pohon se Komuna e Prishtinës nuk është kompetente për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme si dhe si zgjidhje për ketë problem sheh sjelljen e një komisioni ndërkombëtarë për ta analizuar gjendjen e ajrit në Kosovë, shkruan "Zëri.info’.

Ai po ashtu tha se veturat të cilat janë ndalur për qarkullim në disa zona të Prishtinës kanë mundur që të padisin.  

"Krejt ata që i ke nal dje kryetar te rrethi kanë mundur me të padit dhe ta fitojnë gjygjin", ka thënë ai. /Zëri/